Rajoni 22 October 2026, 20:47 Nga VNA

Serbia para zgjedhjeve: A mund ta rrëzojnë studentët Vuçiçin pas dy vitesh revoltë?

Ndaje në Whatsapp
Serbia para zgjedhjeve: A mund ta rrëzojnë studentët

Zgjedhjet e 25 tetorit e gjejnë Serbinë përballë një prej sfidave më të rëndësishme politike të viteve të fundit. Aleksandar Vuçiç, pas më shumë se një dekade dominimi, përballet me një lëvizje studentore që lindi nga tragjedia e Novi Sadit, mobilizoi mijëra qytetarë dhe tani kërkon të shndërrojë protestën në pushtet. Sondazhet tregojnë një garë të ngushtë, por pyetja është nëse studentët mund ta përkthejnë mbështetjen popullore në shumicë parlamentare.

Më 25 tetor, Serbia shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat janë kthyer në një provë politike për Aleksandar Vuçiçin. Përballë tij nuk qëndron vetëm opozita tradicionale, por një lëvizje studentore që, brenda dy vitesh, ka kaluar nga protestat në rrugë te krijimi i një liste me 250 kandidatë për parlamentin.

Gjithçka nisi më 1 nëntor 2024, kur shembja e strehës së stacionit hekurudhor të Novi Sadit shkaktoi vdekjen e 16 personave. Tragjedia u kthye në simbol të korrupsionit dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale. Studentët fillimisht kërkuan drejtësi dhe transparencë, por protestat u shndërruan gradualisht në një lëvizje kombëtare kundër mënyrës së qeverisjes. Në maj 2025, ata kërkuan zgjedhje të parakohshme. Sot ndodhen përpara provës që vetë kërkuan.

Sondazhet tregojnë se gara është e hapur, por jo se rezultati është i paracaktuar. Matja e CRTA-s gjatë verës regjistroi 44.9% mbështetje për Listën Studentore dhe 35.7% për SNS-në. Faktor Plus, në sondazhin e 16–20 shtatorit, dha një panoramë të kundërt: 48.6% për forcën e Vuçiçit dhe 37.1% për studentët. Ndërsa matja e NSPM-së, e publikuar më 20 tetor, regjistroi rreth 44.6% për studentët dhe 42.7% për SNS-në.

Dallimet mes instituteve janë të konsiderueshme dhe lidhen edhe me metodologjitë e ndryshme. Megjithatë, ato dokumentojnë shndërrimin e Listës Studentore në një forcë të rëndësishme elektorale. Në sondazhin e NSPM-së, 79.8% e të anketuarve deklaruan se do të votonin patjetër, ndërsa 13.3% thanë se ndoshta do të merrnin pjesë. Pjesëmarrja reale mbetet për t'u parë.

Një nga karakteristikat më interesante të kësaj lëvizjeje është distancimi nga opozita tradicionale. Studentët nuk kanë kërkuar të bëhen pjesë e partive që prej vitesh përballen me Vuçiçin, por kanë ndërtuar një alternativë me pedagogë, akademikë dhe profesionistë. Sipas The Guardian, mbi 160 kandidatë të listës së tyre kanë doktoraturë. Ndërsa analiza e Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), e publikuar më 20 tetor, evidenton se lëvizja ka tërhequr një pjesë të konsiderueshme të mbështetjes së opozitës së vjetër.
Por këtu fillon edhe vështirësia e saj. Të mobilizosh qindra mijëra njerëz në protesta nuk është e njëjta gjë me të fitosh votat në të gjithë territorin e Serbisë.

Studentët kanë organizuar fushata derë më derë, duke u përpjekur të depërtojnë edhe në zonat rurale, ku SNS ka struktura të konsoliduara. The Guardian ka raportuar për mobilizimin e vullnetarëve në periferi të Beogradit, por edhe për dyshimet mbi shtrirjen reale të kësaj fushate në fshatra.

Vuçiç, ndërkohë, ka dhënë dorëheqjen nga presidenca për të kandiduar për kryeministër, duke e personalizuar garën parlamentare rreth emrit të tij. Ai mbështetet te përvoja qeverisëse, organizimi elektoral dhe rrjetet politike të ndërtuara ndër vite. Përkrahësit e SNS-së e lidhin vazhdimësinë me stabilitetin, ndërsa kundërshtarët e akuzojnë pushtetin për korrupsion, përqendrim të vendimmarrjes dhe ndikim mbi institucionet.

Kushtet e garës janë gjithashtu objekt shqetësimi. Sipas të dhënave të CRTA-s të cituara nga The Guardian, 69% e kohës televizive të monitoruar në shtator iu kushtua shumicës qeverisëse. Raporti i ndërmjetëm i OSBE/ODIHR, i publikuar më 9 tetor, evidentoi shqetësime për regjistrat zgjedhorë, presionin ndaj votuesve, përdorimin e burimeve publike dhe mbikëqyrjen e mediave. Këto probleme mund të ndikojnë jo vetëm në zhvillimin e fushatës, por edhe në besimin ndaj rezultatit.

Një tjetër provë për studentët është kalimi nga bashkimi kundër pushtetit te përgjegjësia për qeverisjen. Lëvizja ka bashkuar qytetarë me orientime të ndryshme politike rreth kërkesave për drejtësi, luftë kundër korrupsionit dhe institucione të pavarura. Por ajo nuk ka ende një program plotësisht të përpunuar për çështje të ndjeshme si Kosova, integrimi europian dhe marrëdhëniet me Rusinë. The Guardian dhe German Marshall Fund kanë evidentuar pikërisht këtë vështirësi: uniteti i krijuar në protesta nuk garanton automatikisht unitet në vendimmarrjen qeverisëse.

Edhe matematika parlamentare mbetet vendimtare. Kuvendi serb ka 250 deputetë dhe për shumicën nevojiten të paktën 126 mandate. Sistemi proporcional, pragu elektoral prej 3% dhe përfaqësimi i pakicave nënkuptojnë se votat nuk përkthehen mekanikisht në mandate. Rezultati i socialistëve të Ivica Daçiçit dhe forcave të tjera më të vogla mund të marrë rëndësi në negociatat për formimin e qeverisë.

ECFR ka identifikuar disa skenarë paszgjedhorë, nga vazhdimësia e qeverisjes së Vuçiçit te një parlament pa shumicë të qartë, një rezultat i kontestuar apo një ndryshim i shumicës parlamentare. Secili prej tyre ngre pyetje për formimin e qeverisë, pranimin e rezultatit dhe funksionimin e institucioneve.

Për Serbinë, kjo përballje shkon përtej emrit të kryeministrit të ardhshëm. Çdo qeveri do të duhet të përballet me problemet që ushqyen protestat, por edhe me marrëdhëniet me Kosovën, Bashkimin Europian, Rusinë dhe vendet e rajonit.

Dy vjet më parë, studentët serbë dolën në rrugë duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 njerëzve. Sot kanë arritur të ndërtojnë një alternativë elektorale që konkurron drejtpërdrejt me pushtetin.

Ata kanë ndryshuar tashmë peizazhin politik të Serbisë. Më 25 tetor do të mësohet sa vota dhe mandate mund të sigurojë kjo lëvizje. Por prova më e rëndësishme do të vijë më pas: nëse zgjedhjet do të prodhojnë vetëm një shumicë të re parlamentare apo edhe ndryshimin institucional që studentët kërkuan kur nisën protestat.

Video

Po futët duart ju e sigurt është që shkon për dreq…

Po futët duart ju e sigurt është që shkon për dreq…

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme