
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Nezir Kraki, ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama për vendimet e fundit të njoftuara prej tij, në një kohë kur Shqipëria po përballet me protesta të studentëve dhe qytetarëve.
Kraki akuzon Ramën se po merr vendime që kufizojnë liritë themelore të qytetarëve, duke theksuar se në vendet e Bashkimit Europian masa të tilla janë kompetencë e gjykatave.
“Domethënë, në Shqipëri vetë kryeministri merr vendime që kufizojnë liritë bazike të qytetarit. Në vendet e BE-së, për të cilat ky flet, vetëm gjykatat marrin vendime të tilla. Ku po mendon se është kryeministër, në Rusi?”, shkruan Kraki në reagimin e tij.
Kritikat e deputetit të Vetëvendosjes vijnë në ditën e nëntë të protestave në Shqipëri, ndërsa studentët dhe pedagogët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e Ramës.






















