Milan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe dhe organizatori i sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, është shfaqur në një tubim elektoral të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), pranë Danilo Vuçiçit, djalit të Aleksandar Vuçiçit.
Pamjet janë publikuar nga televizioni serb N1, i cili ka filmuar Radoiçiçin përpara sallës “Jezero” në Kragujevc, ku më 9 tetor u zhvillua tubimi i partisë së Vuçiçit.
Sipas medias serbe, Danilo Vuçiç kishte mbërritur në aktivitet i shoqëruar nga disa automjete me drita sinjalizuese, ndërsa më pas është parë në shoqërinë e Radoiçiçit.
Shfaqja publike e Radoiçiçit merr një rëndësi të veçantë, pasi ai është në kërkim ndërkombëtar për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ish-zyrtari i Listës Serbe ka pranuar publikisht, përmes avokatit të tij, përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që u përball me Policinë e Kosovës. Gjatë përleshjeve mbetën të vrarë edhe tre pjesëtarë të grupit serb.
Në dhjetor të vitit 2023, Interpoli lëshoi urdhër-arreste për Radoiçiçin dhe 11 persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në sulm. Megjithatë, ai vazhdon të qëndrojë i lirë në territorin e Serbisë.
Radoiçiç është gjithashtu subjekt i sanksioneve amerikane për akuza që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Prania e tij në një aktivitet elektoral të partisë së Vuçiçit, veçanërisht pranë djalit të tij, rikthen në vëmendje marrëdhëniet e Radoiçiçit me rrethet politike në Beograd dhe çështjen e përgjegjësisë për sulmin në Banjskë.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme ndërkombëtare që autorët e sulmit të përballen me drejtësinë, Radoiçiç vijon të shfaqet në aktivitete publike në Serbi, ndërsa autoritetet e Kosovës kërkojnë arrestimin dhe gjykimin e tij.






















