Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt, ka zhvilluar një tjetër takim me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho.
Vizita, e dyta brenda pak ditësh, ngre pikëpyetje mbi mesazhet që diplomacia amerikane po përcjell në drejtim të institucionit që heton korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.
Ambasadori amerikan është shoqëruar nga përfaqësues të ambasadës së SHBA-së, të cilët janë parë duke dalë nga ambientet e SPAK.
Takimi vjen vetëm pak ditë pas vizitës së parë të Wendt në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të marrjes së detyrës së tij të re diplomatike në Tiranë.
Takimi i parë, i zhvilluar më 5 tetor, kishte në fokus luftën kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm. Në njoftimin e saj, Ambasada Amerikane theksoi edhe rolin vendimtar të institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave.






















