
Ndërsa Kuvendi zhvillonte një nga seancat më të rëndësishme për reformën territoriale, dy figura të rëndësishme të Partisë Demokratike, sekretari i përgjithshëm Flamur Noka dhe deputeti Edi Paloka, mungonin në sallë. Sipas burimeve të VNA-së, destinacioni i tyre ishte Tanzania, ku ndodhen për një vizitë ndërparlamentare.
Po, po, pikërisht Tanzania!
Në një kohë kur Edi Rama kishte mobilizuar 85 deputetë për votimin e reformës territoriale, në kampin opozitar dy prej figurave më të njohura kishin një tjetër angazhim, disa mijëra kilometra larg Tiranës.
Dhe nuk bëhet fjalë për dy deputetë të zakonshëm. Flamur Noka është sekretari i përgjithshëm i PD-së, një nga njerëzit më të afërt të Sali Berishës, ndërsa Edi Paloka është një prej figurave më të vjetra dhe më të rëndësishme të kësaj force politike.
Sipas burimeve të VNA-së, të dy ndodhen në Tanzani për një vizitë ndërparlamentare. Nga informacionet e deritanishme, nuk rezulton që në këtë udhëtim të jenë shoqëruar nga kolegë socialistë.
Kështu, ndërsa në Tiranë mazhoranca ishte në rresht për votimin, dy përfaqësues të rëndësishëm të opozitës kishin gjetur kohën për një angazhim parlamentar jashtë vendit, pikërisht në ditët kur në Kuvend vendosej për hartën e re territoriale të Shqipërisë.
Në Tiranë, demokratët bërtisnin kundër reformës territoriale, ndërsa dy prej njerëzve më të rëndësishëm të Berishës e ndiqnin betejën nga Tanzania. Ndoshta Noka dhe Paloka kishin punë më të rëndësishme atje. Fundja, Shqipëria mund të presë. Tanzania jo.
Dhe ironia është se socialistët, që nuk lënë rast pa u përçarë për interesa e poste, kur vjen puna te vota e Ramës bëhen një trup i vetëm. Ndërsa demokratët, që prej ditësh flasin për betejë vendimtare, nuk arrijnë të mbajnë as njerëzit e tyre në sallë.
Rama numëronte votat. Berisha mund të numëronte mungesat.
Sigurisht, mbetet për t’u mësuar se çfarë përvoje të jashtëzakonshme parlamentare do të sjellin Noka dhe Paloka nga Tanzania dhe sa e dobishme do të jetë ajo për opozitën shqiptare.
Por deri atëherë, një gjë është e qartë: ndërsa Rama i kishte deputetët në rresht për të votuar, Berisha nuk kishte në sallë as sekretarin e përgjithshëm të partisë së tij.
Epo, tani kemi ç’të mësojmë nga Tanzania. Për sa kohë Shqipëria, me sa duket, nuk paska aq shumë nevojë për deputetët e opozitës së saj.






















