Ajo që nisi si një bashkëpunim mes Arbjan Maznikut dhe Luciano Boçit përfundoi ashtu siç pritej: me sherre dhe me votat e Partisë Socialiste që miratuan reformën territoriale. As të qeshurat, duart e shtrënguara dhe takimet në dukje miqësore nuk e ndihmuar opozitën që të bënte ndryshimet që dëshironte, dhe për më tepër, as protesta e thirrur jashtë dyerve të Kuvendit nuk ndikoi aspak në atmosferën e përgjithshme, ku PS vendosi me forcën e kartonave.
Edhe një herë, Partia Demokratike dëshmoi se është e pafuqishme për shkak të numrave, por edhe e paaftë për shkak të strategjisë së saj për t'iu imponuar mazhorancës. Edhe pse kësaj të fundit nisi t'i dridheshin këmbët për shkak të numrave që rrezikonte, PD priti deri në fund derisa Edi Rama siguroi 85 vota dhe kaloi një nga reformat më të rëndësishme.
Gazment Bardhi ishte i vetmi që zemërimin e tij e hodhi te Rama dhe Balluku me një shishe uji. Përtej kësaj, pavarësisht opozitës dhe gjithë skandaleve, Edi Rama dëshmoi edhe një herë se të paktën i ka numrat në parlament.
Jashtë tij, ai ka humbur thuajse totalisht mbështetjen dhe protesta vijon prej më shumë se 4 muajsh çdo ditë poshtë zyrës së tij. Por, me sa duket, do të duhet ende shumë kohë për t'ia marrë pushtetin brenda parlamentit. Sepse, siç shihet qartë, numrat në Kuvend nuk janë thjesht numra kur bëhet fjalë për të miratuar reforma të rëndësishme.






















