Deputeti socialist Erion Braçe ka dalë kundër propozimit të Partisë Socialiste për ndryshimin e hartës territoriale, duke ngritur shqetësime për mungesën e transparencës, shkeljen e parimeve të reformës dhe kompetencat e kufizuara të pushtetit vendor.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe u shpreh se propozimi nuk përbën një reformë të mirëfilltë, por thjesht një ndryshim të kufijve administrativë, që sipas tij nuk zgjidh problemet e qeverisjes vendore.
Deputeti socialist theksoi se ndryshimet e propozuara prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve në 15 bashki, si dhe në njësitë vendore që do t’i përthithin ato. Për këtë arsye, ai kërkoi më shumë përgjegjësi dhe transparencë në vendimmarrje.
“Qëndrueshmëria e reformave vjen nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë respektuar njësoj kudo në këtë hartë”, deklaroi Braçe, duke shtuar se informacioni ekonomik dhe financiar që justifikon ndryshimet nuk është bërë i disponueshëm në mënyrë të plotë.
Një tjetër kritikë e tij lidhej me mënyrën se si janë shpërndarë kompetencat mes qeverisë qendrore dhe bashkive. Sipas Braçes, shumë përgjegjësi u janë kaluar njësive vendore pa financimin e nevojshëm, ndërsa një pjesë e kompetencave që ato zotërojnë mbeten vetëm formale.
Ai solli si shembull furnizimin me ujë të pijshëm, administrimin e pyjeve, bujqësinë dhe zhvillimin rural, duke argumentuar se në disa prej këtyre sektorëve vendimmarrja dhe buxhetet vazhdojnë të kontrollohen nga qeveria qendrore.
“Po 46 kompetenca kanë sot bashkitë. Një pjesë e madhe e tyre janë formale, për të mos thënë banale”, u shpreh deputeti socialist.
Në fjalën e tij, Braçe solli edhe përvoja personale nga zonat që ka përfaqësuar ndër vite, duke theksuar se pushteti vendor duhet të jetë sa më pranë qytetarëve dhe nevojave të tyre.
Debati u shoqërua edhe me tensione në sallën e Kuvendit. Pasi i përfundoi koha e përcaktuar për të folur, Braçes iu ndërpre mikrofoni, por ai refuzoi të largohej menjëherë nga foltorja dhe vijoi fjalën me zë të lartë.
“Mbylleni mikrofonin, do e flas me zë, kam ngrënë vezë nga fshati”, tha Braçe.
Drejtuesja e seancës, Evis Kushi, e paralajmëroi deputetin socialist me masë disiplinore për mosrespektimin e kohës së fjalës. Pas disa çastesh, Braçe u kthye në vendin e tij dhe seanca vijoi normalisht.






















