Politika 8 October 2026, 13:42 Nga VNA

Reforma territoriale ndez debatet në Kuvend dhe protestat jashtë tij, Sinaj ndryshon qëndrim, Braçe kundër PS-së

Ndaje në Whatsapp

Reforma territoriale ndez debatet në Kuvend dhe protestat jashtë tij,

Seanca plenare e kësaj të enjteje është shoqëruar me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës për reformën e re administrativo-territoriale, ndërsa jashtë Parlamentit protestuesit janë përplasur me forcat e policisë. Në qendër të diskutimeve është propozimi i Partisë Socialiste për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 njësive vendore.

Tensionet kanë përfshirë edhe radhët e mazhorancës. Deputeti socialist Vullnet Sinaj, i cili në fillim të javës kishte votuar kundër draftit në mbledhjen e grupit parlamentar, ka ndryshuar qëndrim duke mbështetur hartën e re territoriale.

Ndërkohë, Erion Braçe ka vijuar të shprehë kundërshtime ndaj reformës. Gjatë mbledhjes së grupit socialist ka pasur edhe një debat mes Braçes dhe kryeministrit Edi Rama. Deputeti nuk ka votuar as pro dhe as kundër draftit në mbledhjen e kësaj të enjteje.

Ndryshimi i qëndrimit të Sinajt mund t'i sigurojë mazhorancës 84 votat e nevojshme për miratimin e reformës, nëse deputetët që kanë shprehur mbështetjen e tyre votojnë në të njëjtën mënyrë edhe në seancën plenare.

Ndërsa brenda Kuvendit vijonin diskutimet, jashtë godinës situata është tensionuar mes protestuesve dhe forcave të rendit. Qytetarë nga bashkitë që preken nga reforma, përfaqësues të opozitës dhe pjesëmarrës të lëvizjes “Revolucioni Flamingo” janë mbledhur për të kundërshtuar ndryshimin e hartës administrative.

Protestuesit kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë, ndërsa policia ka përdorur spraj me piper për t'i shpërndarë. Gjatë përplasjeve janë hedhur edhe mjete piroteknike në drejtim të efektivëve, ndërsa disa qytetarë kanë marrë ndihmë mjekësore pas problemeve të shkaktuara nga spraji. Janë raportuar gjithashtu lëndime të lehta mes punonjësve të policisë.

Në protestë janë bashkuar edhe kryetarët e bashkive të Fushë-Arrëzit dhe Memaliajt, Hilë Curri dhe Albert Malaj, të cilët kanë kundërshtuar shkrirjen e njësive vendore. Sipas tyre, reforma rrezikon të përshpejtojë shpopullimin e zonave që preken nga ndryshimet.

Tensionet kanë përfshirë edhe sallën e Kuvendit, pas kërkesës së socialistëve për ndryshimin e rendit të ditës. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, janë afruar pranë foltores, duke debatuar me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Situata është shoqëruar me vendosjen e punonjësve të Gardës pranë foltores.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka mbrojtur reformën, duke deklaruar se ajo do të votohet gjatë seancës së sotme. Edhe deputeti socialist Blendi Klosi ka mbështetur ndryshimet, duke sfiduar opozitën për rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme vendore.

Opozita e kundërshton reformën, duke akuzuar shumicën për mungesë konsultimi me qytetarët dhe për miratimin e njëanshëm të hartës së re territoriale. Mazhoranca, nga ana e saj, argumenton se ndryshimet synojnë përmirësimin e shërbimeve publike dhe funksionimin më efikas të pushtetit vendor.

Votimi përfundimtar i reformës pritet të zhvillohet gjatë ditës, mes kundërshtimeve të opozitës, protestave jashtë Parlamentit dhe qëndrimeve të ndryshme brenda vetë Partisë Socialiste.

Video

Prapaskenat nga mbledhja e PS: Ultimatumi i Edi Ramës për deputetët para votimit të reformës.

“Diella” mbetet ministre

Pamje nga përplasja e protestuesve me policinë para Kuvendit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme