Bota 8 October 2026, 14:00 Nga VNA

Skandal financuar me 1.29 miliardë euro në Itali, Prokuroria kërkon gjykimin e presidentit të Campari-t 

Ndaje në Whatsapp

Skandal financuar me 1.29 miliardë euro në Itali, Prokuroria

Presidenti i gjigantit italian të pijeve alkoolike Campari, Luca Garavoglia, rrezikon të përballet me gjyqin për një nga çështjet më të mëdha të evazionit fiskal të viteve të fundit në Itali. Prokuroria e Monzës ka kërkuar dërgimin e tij në gjykim, nën dyshimin për shmangien e pagesës së 1.29 miliardë eurove taksa, përmes një operacioni financiar që zhvendosi strukturën e kontrollit të kompanisë nga Italia në Luksemburg.

Sipas agjencisë Reuters, e cila citon dy burime me njohuri të drejtpërdrejta për çështjen, prokurorët italianë kanë kërkuar gjithashtu gjykimin e Giovanni Bertos, përfaqësuesit ligjor të Lagfin, shoqërisë holding me seli në Luksemburg që kontrollon grupin Campari.

Në qendër të hetimit është një operacion financiar i vitit 2018, kur kompania italiane Alicros, që kontrollonte grupin Campari, u bashkua me Lagfin, e cila zotëronte shumicën e aksioneve të Alicros.

Nga ky bashkim u krijua një strukturë e vetme me seli në Luksemburg, e cila kontrollonte 51% të aksioneve të Campari, me një vlerë bursiere që në atë kohë tejkalonte 4 miliardë euro.

Sipas Prokurorisë dhe Guardia di Finanza, operacioni nuk ishte thjesht një riorganizim korporativ, por një manovër për të shmangur detyrimet fiskale ndaj shtetit italian.

Hetuesit pretendojnë se gjatë periudhës 2018–2020 janë realizuar fitime kapitale të padeklaruara me vlerë 5.3 miliardë euro, mbi të cilat duhej të ishte paguar një taksë prej 1.29 miliardë eurosh.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturën exit tax, një taksë që zbatohet në kushte të caktuara kur kompanitë transferojnë rezidencën e tyre fiskale jashtë Italisë.

Në tetor të vitit të kaluar, autoritetet italiane urdhëruan sekuestrimin e aksioneve të Lagfin me vlerë ekuivalente me shumën e evazionit të dyshuar, 1.29 miliardë euro.

Megjithatë, në dhjetor, Lagfin arriti një marrëveshje me Agjencinë Italiane të të Ardhurave, duke pranuar të paguajë 405 milionë euro me këste për të zgjidhur mosmarrëveshjen fiskale.

Por kjo marrëveshje nuk e ka mbyllur çështjen penale.

Sipas legjislacionit italian, procedurat tatimore dhe hetimet penale janë të ndara dhe të pavarura nga njëra-tjetra. Për këtë arsye, pavarësisht marrëveshjes financiare me autoritetet, prokurorët kanë vijuar procedimin ndaj drejtuesve të kompanisë.

Nga ana tjetër, Lagfin ka deklaruar se procedimi ndaj vetë shoqërisë ishte pushuar në korrik për shkak të parashkrimit.

“Për rrjedhojë, Lagfin nuk mund të pësojë asnjë humbje financiare apo dëm si rezultat i procedurave të sipërpërmendura”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Avokatët e dy personave për të cilët është kërkuar gjykimi kundërshtojnë akuzat.

“Gjyqi do të vërtetojë përtej çdo dyshimi se klientët tanë janë të pafajshëm”, deklaroi për Reuters avokati Giuseppe Iannaccone, i cili, së bashku me kolegun Nerio Diodà, përfaqëson Garavoglia dhe Berto.

Luca Garavoglia, 57 vjeç, është president i Campari që prej vitit 1994 dhe aksioneri më i madh i grupit përmes shoqërisë Lagfin.

Tashmë pritet që një gjyqtar të caktojë seancën paraprake, në përfundim të së cilës do të vendoset nëse dy drejtuesit do të dërgohen në gjykim apo çështja do të pushohet.

Për momentin, bëhet fjalë për akuza të Prokurorisë dhe jo për një vendim fajësie.

Çështja vendos nën vëmendjen e drejtësisë italiane një prej emrave më të njohur të industrisë ndërkombëtare të pijeve, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si strukturat e mëdha korporative përdorin zhvendosjen e selive dhe bashkimet ndërkufitare për të administruar detyrimet e tyre tatimore.

Video

Gazi lotsjellës nuk kursen as kalimtarët, qytetarët e rastësishëm mes tymit dhe kaosit para Parlamentit

Kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, u përplas fizikisht me policinë gjatë protestës kundër reformës territoriale para Kuvendit. Pamjet e treguan atë mes turmës duke debatuar ashpër me efektivët e rendit. Tensione të forta shpërthyen në momentin kur policia tentoi të mbante protestuesit larg perimetrit.

Prapaskenat nga mbledhja e PS: Ultimatumi i Edi Ramës për deputetët para votimit të reformës.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme