
Një 25-vjeçare britanike është gjetur pa shenja jete mesditën e kësaj të enjteje në një apartament në qytetin e Durrësit.
Sipas informacionit paraprak të policisë, ngjarja është konstatuar rreth orës 12:50, në lagjen nr. 1, ku shërbimi i Urgjencës ka gjetur të pajetë shtetasen angleze me inicialet E. S.
Në apartament është gjetur edhe fëmija i saj, rreth 2 vjeç, i cili fatmirësisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Nga këqyrja paraprake e trupit të 25-vjeçares nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet e nevojshme për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës së të resë, si dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.






















