Biznesmeni Valon Lluka është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për përfshirje në disa vepra penale.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala, ka konfirmuar ndalimin e një personi me inicialet V. Ll., duke bërë të ditur se ai dyshohet për “Mashtrim”, “Shpërdorim të pasurisë së huaj”, “Keqpërdorim të autorizimeve ekonomike” dhe “Lidhje të kontratës së dëmshme”.
Sipas Prokurorisë, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të shqyrtojë mundësinë e kërkimit të një mase sigurimi ndaj të dyshuarit.
Prokuroria nuk ka dhënë hollësi të tjera mbi veprimet për të cilat dyshohet biznesmeni apo dëmin e mundshëm të shkaktuar.






















