
Premtimet për fondet IPARD po ndryshojnë muajt, por jo përfundimin. Pas një serie afatesh të dhëna gjatë vitit nga qeveria, këtë herë ishte ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ajo që riktheu të njëjtin refren: paratë europiane për bujqësinë do të zhbllokohen “shumë shpejt”.
E pyetur këtë të mërkurë pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj tha se procedura për riakreditimin është në fazën finale dhe se ekzekutivi pret hapjen e fondeve së shpejti. “Është një proces i zgjatur”, pranoi ministrja, duke shtuar se dokumentacioni i kërkuar është dorëzuar dhe se, sipas saj, problematikat tashmë janë zgjidhur.
Vetëm se “shumë shpejt” është një afat që fermerët shqiptarë e kanë dëgjuar disa herë. Para Ibrahimajt, stafetën e optimizmit e mbante ministri i Bujqësisë, Andis Salla. Në shkurt ai deklaronte se fondet do të zhbllokoheshin brenda qershorit dhe se aplikimet do të nisnin në gjysmën e dytë të vitit. Më 9 mars shkoi në Bruksel, ku takoi drejtuesen e Drejtorisë së Përgjithshme të Bujqësisë në Komisionin Europian dhe foli për “progres” në rrugën drejt IPARD III.
Qershori kaloi, vera po ashtu, ndërsa fondet nuk u hapën.
Në korrik, Salla e përshkruante procesin si në “fazën përfundimtare të vlerësimit”. Tani, në tetor, të njëjtën gjuhë e përdor Ibrahimaj. Në retorikën e qeverisë, duket se IPARD është vazhdimisht një hap larg, ndërsa për fermerët, pritja vazhdon.
Dhe pikërisht këtu optimizmi i Tiranës përplaset me fjalorin shumë më të ftohtë të Brukselit. Në përgjigjen e dhënë në shtator, Komisioni Europian bëri të ditur se kërkesa e Shqipërisë, e paraqitur në prill 2026, vazhdonte të vlerësohej. Në shqyrtim merren edhe gjetjet e OLAF-it dhe përmirësimet që autoritetet shqiptare pretendojnë se kanë bërë në sistemin e menaxhimit dhe kontrollit. Mbi të gjitha, Komisioni nuk dha një datë për nisjen e IPARD III.
Pra, ndërsa në Tiranë dëgjohet “shumë shpejt”, nga Brukseli përgjigjja mbetet “ende nuk dihet kur”. Dhe ky nuk është një debat i vogël burokratik. Vetëm kontributi i Bashkimit Europian për Shqipërinë në IPARD III është parashikuar në 112 milionë euro për periudhën 2021–2027, para që duhet të shkojnë për investime në ferma, përpunim, infrastrukturë rurale dhe zhvillimin e ekonomisë së fshatit.
Pas kësaj pritjeje qëndron skandali i IPARD II dhe dyshimet që kanë shoqëruar menaxhimin e fondeve nga AZHBR gjatë kohës kur Ministria e Bujqësisë drejtohej nga Frida Krifca. Hetimi i Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF, zbuloi parregullsi serioze në dhënien dhe zbatimin e disa projekteve në Shqipëri. Kontrata pa konkurrencë ose me konkurrim të manipuluar, oferta të rreme, çmime të fryra dhe raste kur aplikantëve u kërkohej t'u paguanin një pjesë të grantit kompanive të caktuara të konsulencës.
OLAF kërkoi që 33 milionë euro të programit IPARD II të mos njiheshin si shpenzime të rregullta, ndërsa 112 milionë eurot e IPARD III të mos viheshin në dispozicion derisa Shqipëria të korrigjonte problemet e konstatuara.
Por këtu nis një tjetër pritje që është ajo për përgjegjësitë. Ndërsa OLAF e përfundoi hetimin e tij dhe ia përcolli gjetjet drejtësisë shqiptare, ende nuk ka një përfundim të çështjes që të përcaktojë përgjegjësitë penale për parregullsitë e konstatuara. Kështu, krahas fermerëve që presin paratë europiane, vijon edhe pritja për të mësuar se kush do të mbajë përgjegjësi për skandalin që kontribuoi në ngrirjen e tyre.
Megjithatë, fermerëve nuk u duhen kalendarë të rinj premtimesh, por u duhen fondet. Nga janari te qershori, nga qershori te shtatori dhe tani te “shumë shpejt”, IPARD III, sipas deklaratave të Delina Ibrahimajt dhe Andis Sallës, refreni mbetet i njëjtë, vetëm datë nuk ka.






















