
Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë i është drejtuar me një letër Këshillit të Europës dhe Kongresit të Autoriteteve Vendore, duke ngritur shqetësime për procesin e riorganizimit territorial dhe ndryshimin e kufijve të njësive të qeverisjes vendore.
Sipas Shoqatës, procesi po zhvillohet në mënyrë të njëanshme dhe pa konsultimin e duhur me qytetarët dhe përfaqësuesit vendorë. Ajo pretendon se në këtë mënyrë po shkelen procedurat kushtetuese dhe parimet e Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore.
Në letër thuhet se 15 bashki rrezikojnë të shkrihen ose t’u ndryshohen kufijtë, ndërsa, sipas Shoqatës, banorët dhe këshilltarët vendorë nuk janë përfshirë siç duhet në një proces që prek drejtpërdrejt komunitetet e tyre.
Shoqata u kërkon Këshillit të Europës dhe Kongresit të Autoriteteve Vendore të reagojnë përpara se ndryshimet të kalojnë për miratim në Kuvend. Sipas saj, një ndërhyrje pas votimit në Parlament do ta bënte më të vështirë parandalimin e pasojave që ndryshimet mund të sjellin për komunitetet e prekura.
Në mbështetje të pretendimeve të saj, Shoqata thotë se u ka përcjellë institucioneve europiane edhe prova që, sipas saj, tregojnë anashkalimin e qytetarëve dhe këshilltarëve vendorë në 15 bashkitë e prekura.
Shoqata argumenton se ndryshimi i kufijve vendorë duhet të shoqërohet me konsultim real me komunitetet, duke respektuar kuadrin kushtetues dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.






















