Bota 7 October 2026, 13:07 Nga VNA

Franca pezullon granatat shurdhuese pasi një 15-vjeçar humbi dorën në protestat e nxënësve

Ndaje në Whatsapp

Franca pezullon granatat shurdhuese pasi një 15-vjeçar humbi

Policia franceze ka pezulluar përdorimin e granatave shurdhuese gjatë protestave të nxënësve të shkollave të mesme, pasi një 15-vjeçari iu amputua dora pas incidenteve të dhunshme në Lens, në veri të Francës.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, deklaroi të mërkurën se ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të përdorimit të këtyre granatave në protestat e nxënësve, “derisa të dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur”.

Incidenti ndodhi të hënën, gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit. Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar nëse 15-vjeçari e kishte marrë granatën nga toka apo ishte goditur drejtpërdrejt prej saj. Nëna e tij ka mohuar se i biri e kishte prekur granatën.

“Djali im humbi dorën. I kanë vjedhur jetën. Është vetëm 15 vjeç. Si mund të trajtohen kështu fëmijët?”, deklaroi ajo për BFMTV.

Ngjarja ka shtuar akuzat për dhunë policore në Francë, ku prej dy javësh vazhdojnë protestat e nxënësve, prindërve dhe mësuesve kundër mungesës së mësuesve, klasave të mbipopulluara, gjendjes së amortizuar të shkollave dhe orareve të gjata mësimore.

Sipas të dhënave të raportuara, të paktën 215 adoleshentë dhe 85 punonjës të shkollave janë plagosur që nga nisja e protestave. Të plagosur kanë mbetur edhe rreth 750 efektivë policie.

Ministri Nuñez bëri të ditur se janë hapur 18 hetime të brendshme mbi pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia. Mes rasteve që po hetohen është ai i një protestuesi të ri që humbi disa dhëmbë dhe i një studenti tjetër që humbi shikimin në njërin sy.

Vendimi për pezullimin e granatave vjen pas protestës më të madhe që nga nisja e lëvizjes. Të martën, të paktën 250 mijë nxënës, prindër, mësues dhe sindikalistë dolën në rrugët e qyteteve franceze, duke e detyruar presidentin Emmanuel Macron të thërriste një mbledhje urgjente të kabinetit.

Shumica e marshimeve përfunduan pa incidente serioze, por në Paris dhe disa qytete të tjera pati përplasje me policinë, dëmtime të pronës dhe përdorim të gazit lotsjellës e shkopinjve të gomës nga forcat e rendit.

Kryeministri Sébastien Lecornu ka dënuar dhunën gjatë protestave, por ka hedhur poshtë akuzat se qeveria ka urdhëruar një “represion policor” kundër nxënësve. Ndërkohë, organizatat e të drejtave të njeriut dhe sindikatat vazhdojnë të akuzojnë policinë franceze për përdorim joproporcional të forcës.

Video

GJKKO dënon nënën, foshnja 4-muajshe përfundon me të në burg

Kryebashkiaku i del përpara policisë, bëhet “mburojë” mes protestuesve dhe efektivëve Një moment i pazakontë është regjistruar gjatë protestave studentore në Francë, ku kryebashkiaku i Saint-Denis, Bally Bagayoko, është vendosur mes policisë dhe një grupi të rinjsh protestues, në përpjekje për të ulur tensionet dhe për të shmangur përplasjen mes tyre. Pamjet janë publikuar në rrjetet sociale nga gazetari i pavarur Enzo Rabouy.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme