Gjatë një takimi me demokratët e Lezhës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kishte një mesazh për kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu, të cilit i kërkoi të japë dorëheqjen dhe e akuzoi për pasuri, përfshirë edhe pasuri në Zvërnec.
Berisha tha se disponon një “skedë dixhitale” për Ndreun, për të cilën pretendoi se përmban të dhëna mbi atë që ai i cilësoi si “vepra të zeza” të kryebashkiakut.
“Pjerin, e kam këtu skedën dixhitale tënde që mund t’i mbaj këta burra dhe gra tre orë duke lexuar veprat e tua të zeza. Në listën e veprave të zeza nuk të mungon asgjë”, deklaroi Berisha.
Më tej, kreu i PD-së i kërkoi Ndreut të japë dorëheqjen, duke deklaruar se, sipas tij, në të kundërt të gjitha pasuritë e tij do të konfiskohen, ndërsa e akuzoi edhe për pasuri në Zvërnec.
“Ndaj dhe në qoftë se nuk jep dorëheqjen tani, nuk ke mend, se të rren mendja, të garantoj se të gjitha pasuritë do të konfiskohen. Edhe atje, edhe në Zvërnec, se na del pasunar edhe në Zvërnec ky me toka”, u shpreh Berisha.






















