
Viola Haxhiademi, aktualisht drejtuese e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), dhe Ergys Verdho, drejtor i Hekurudhave Shqiptare, janë paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku kanë dhënë shpjegime në kuadër të hetimeve që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Verdho është paraqitur i vetëm në ambientet e SPAK, pasi është thirrur për t'u pyetur lidhur me dosjen që po hetohet nga prokurorët e posaçëm. Megjithatë, ende nuk dihet nëse pyetjet ndaj tij janë përqendruar te veprimtaria e Hekurudhave Shqiptare apo te procedurat e tenderimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Ndërkohë, Viola Haxhiademi, e cila ka mbajtur më parë postin e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, është marrë në pyetje edhe në raste të mëparshme nga SPAK për këtë çështje.
Emri i saj është përfshirë gjithashtu në kontrollet e zhvilluara nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH). Në dhjetor të vitit 2025, agjentët e BKH-së ushtruan kontroll në banesën e Haxhiademit, në kuadër të hetimeve për tenderët publikë në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë.
Haxhiademi ka shërbyer si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë periudhës kur institucioni drejtohej nga Belinda Balluku. Ajo është përshkruar si një prej bashkëpunëtoreve të afërta të ish-zëvendëskryeministres.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme janë përqendruar në procedura të ndryshme tenderimi dhe në verifikimin e marrëdhënieve mes zyrtarëve publikë dhe subjekteve të përfshira në këto procedura.
Deri më tani, SPAK nuk ka bërë publike detaje të tjera mbi përmbajtjen e dëshmive të dhëna sot nga Haxhiademi dhe Verdho, apo mbi statusin e tyre procedural në këtë çështje.






















