
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka vendosur sot me shumicë votash të rrëzojë kërkesën e një grupi prej 39 deputetësh të Kuvendit, të cilët kërkonin shfuqizimin e dekreteve të Presidentit për emërimin e Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave. Me këtë vendim, Diella vijon detyrën si ministre e Inteligjencës Artificiale.
Në njoftimin e saj zyrtar, Gjykata Kushtetuese vëren se kjo përbën një çështje të re mbi të cilën nuk ka pasur qëndrime të mëhershme në kontekstin e inteligjencës artificiale.
Përmes argumenteve kryesore ligjore, Gjykata nëllimoi se:
Përdorimi i IA dhe Kushtetuta: Përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues, përgjegjësinë dhe llogaridhënien publike, e as të zëvendësojë apo transferojë kompetenca zyrtare.
Moskompetenca mbi aktet: Aktet e kundërshtuara nuk përbëjnë norma të përgjithshme apo krijim të strukturave të reja me autonomi normativisht të kontrollueshme sipas nenit 131/1/c të Kushtetutës.
Mungesa e konfliktit të kompetencave: Kërkuesit (deputetët) nuk përmbushin kriterin e legjitimimit (ratione personae) si palë drejtpërdrejt e cenuar apo në konflikt kompetencash.
Statusi i funksionarit: Gjykata çmoi se pavarësisht terminologjisë teknologjike të përdorur në dekrete, nuk rezulton se kemi të bëjmë me rastet e papajtueshmërisë apo kontrollit të emërimit të një funksionari individual sipas pikës "e" të nenit 131 të Kushtetutës.
Si rrjedhojë e rrëzimit të kërkesës nga Gjykata Kushtetuese, mandatimi i Diellës si ministre e Inteligjencës Artificiale mbetet në fuqi.






















