
Deputeti socialist Vullnet Sinaj ka ndryshuar qëndrim lidhur me reformën territoriale, duke votuar pro draftit të Partisë Socialiste, ndonëse më herët kishte shprehur rezerva ndaj propozimit.
Në mbledhjen e mëparshme të grupit parlamentar socialist, Sinaj kishte ngritur shqetësime për reformën, por duket se pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e zhvilluar në Kuvend, ka ndryshuar qëndrim.
Mbledhja e sotme e grupit parlamentar të PS-së është shoqëruar me tone të ashpra nga kryeministri Rama, i cili, sipas burimeve të VNA-së, ka paralajmëruar deputetët socialistë se çdo votë kundër reformës territoriale do të sillte përjashtimin nga grupi parlamentar.
“Vendimi është politik! Kush nuk voton sot pro reformës, ikën nga grupi parlamentar”, mësohet të ketë deklaruar Rama gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura.
Ultimatumi i kryeministrit vjen pas rezervave dhe kundërshtimeve të shprehura më herët nga deputetë socialistë, mes të cilëve Vullnet Sinaj dhe Erion Braçe, lidhur me hartën e re territoriale.
Pas kësaj mbledhjeje, Sinaj raportohet se ka votuar në favor të propozimit të Partisë Socialiste për riorganizimin territorial, i cili parashikon shkrirjen e 15 bashkive.
Ndërkohë, vëmendja tashmë zhvendoset te deputeti socialist Erion Braçe, i cili ka kundërshtuar gjithashtu reformën territoriale. Mbetet për t'u parë nëse Braçe do t'i qëndrojë qëndrimit të tij gjatë votimit në seancë plenare, apo do të ndryshojë pozicion, ashtu si kolegu i tij Vullnet Sinaj.
Votimi në Kuvend pritet të tregojë nëse kundërshtitë e shprehura brenda grupit socialist do të reflektohen edhe në votën e deputetëve, pas ultimatumit të raportuar të kryeministrit Rama.






















