Presidenti Donald Trump është distancuar publikisht nga dy prej këshilltarëve të tij kryesorë politikë, Chris LaCivita dhe James Blair, pas raportimit se ata kanë kryer punë të paguar për qeverinë pro-ruse të Republikës Srpska, entitet në Bosnje-Hercegovinë.
Në një reagim në Truth Social, Trump shkroi se LaCivita dhe Blair janë “konsulentë të jashtëm” dhe se nuk punojnë për të përveçse në këtë cilësi. Ai tha se ata mund të kenë edhe klientë të tjerë, por shtoi se do t’i pyesë për këtë dhe, nëse rezulton se ka konflikt interesi, “do t’i shkarkojë menjëherë”.
“Chris LaCivita dhe James Blair janë konsulentë të jashtëm. Ata nuk punojnë për mua, përveçse si konsulentë të jashtëm. Me shumë gjasë kanë klientë të shumtë, por për këtë duhet t’i pyesni ata. Ata lejohen të punojnë për të tjerë, si të gjithë konsulentët në Uashington. Nuk kam asnjë ide për kë punojnë tjetër, por do t’i pyes dhe, nëse ka konflikt, do t’i shkarkoj menjëherë”, shkroi Trump.
Reagimi erdhi pas raportimit të The New York Times, sipas të cilit LaCivita dhe Blair udhëtuan javën e kaluar në Ballkan për punë të paguar në emër të qeverisë së Republikës Srpska, përpara zgjedhjeve që mbahen të dielën atje.
Sipas raportimit, dy këshilltarët janë paguar me qindra mijëra dollarë secili përmes një firme ligjore me bazë në Uashington, e kontraktuar nga qeveria e Republikës Srpska për këshillim mbi çështje zgjedhore.
LaCivita dhe Blair kanë deklaruar se puna e tyre ishte për qeverinë dhe jo për partinë nacionaliste që e kontrollon atë, ndonëse në praktikë dallimi mes tyre konsiderohet thuajse formal.
James Blair drejton aktualisht super PAC-un e Trump, MAGA Inc., dhe është përgjegjës për strategjinë e zgjedhjeve të mesmandatit. Chris LaCivita është këshilltar i lartë në të njëjtin grup, i cili ka shpenzuar dhjetëra miliona dollarë për të mbështetur kandidatët republikanë në prag të zgjedhjeve.






















