Çfarë di Sali Berisha për hetimet e SPAK dhe nga i ka informacionet? Kjo është pyetja që lind pas deklaratave të kreut të Partisë Demokratike në seancën parlamentare, ku ai lidhi paraqitjen e biznesmenit Artan Gaçi në Prokurorinë e Posaçme me dyshimet për pastrim parash dhe trafik armësh gjatë periudhës kur bashkëshortja e tij, Olta Xhaçka, drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.
Berisha nuk u mjaftua me denoncimin e një afere të mundshme. Ai foli për kontrabandë armësh si një veprimtari të kryer gjatë mandatit të Xhaçkës, duke krijuar përshtypjen se disponon informacione konkrete për objektin e hetimit.
“Ku është kjo Xhaçka? E morët vesh apo jo, në kohën që ka qenë ministre Mbrojtje, ka luajtur kontrabandën. E morët vesh apo jo? Prandaj o qytetarë shqiptarë sot vjen e voton verbërisht se mbron kontrabandën e armëve që ka zhvilluar me të shoqin”, deklaroi Berisha nga foltorja e Kuvendit.
Por mbi çfarë informacioni mbështetet kjo akuzë? A ka Berisha dijeni për materiale konkrete të dosjes hetimore, apo bëhet fjalë për një pretendim politik që ende nuk është mbështetur publikisht me prova?
Gaçi në SPAK, por hetimi mbetet i paqartë
Paraditen e së enjtes, Artan Gaçi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, por nuk pranoi të fliste para gazetarëve.
Paraqitja e tij përkon me deklaratat e Berishës për një hetim që, sipas kreut të opozitës, lidhet me pastrimin e parave dhe kontrabandën e armëve gjatë kohës kur Olta Xhaçka ishte ministre e Mbrojtjes.
Megjithatë, SPAK nuk ka bërë publik një njoftim që të konfirmojë se Gaçi po hetohet për këto vepra penale.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme deklaratën e Berishës. Ndërsa Prokuroria e Posaçme nuk ka identifikuar publikisht objektin e hetimit, kreu i opozitës ka bërë një lidhje të drejtpërdrejtë mes biznesmenit, bashkëshortes së tij ish-ministre dhe kontrabandës së armëve.






















