
Pasi na lodhën gjithë të enjten, studio më studio, duke shpjeguar me fytyrë të ngrysur se ishin kundër reformës territoriale, Erion Braçe dhe disa të tjerë si ai bënë në fund atë që bëjnë gjithmonë: votuan si grupi.
Madje, për të mos lënë hapësirë për ndonjë surprizë, Edi Rama ua kishte bërë të qartë që në mëngjes, në mbledhjen e grupit parlamentar: kush votonte kundër, ishte automatikisht jashtë.
Dhe kaq mjaftoi.
“Opozitari i përjetshëm”, siç i pëlqen Braçes kur ia thonë nëpër studio, votoi si gjithë të tjerët dhe pastaj, pas seancës, njoftoi se do ta sqaronte votën një ditë më pas. A thua se ka ndonjë vlerë monologu grindavec i dikujt që nuk pati guximin të bënte asgjë kundër kryetarit të partisë, pikërisht në momentin kur duhej ta bënte.
Sepse ky është modeli: ankohu sa të duash, bëj zhurmë sa të duash, mbaj fytyrën e të pakënaqurit sa të duash. Në fund, kur Rama numëron votat, nuk i duhen opinionet e tua. I duhet vetëm gishti yt mbi buton. Dhe atë ia dhe.
E njëjta histori me Elisa Spiropalin, ish-ministren e Ramës, kritikën e beftë të Facebook-ut, poetiken qesharake që dikur i thurte vargje Skënderbeut të saj politik dhe sot përpiqet të shesë distancë nga pushteti sikur nuk ka qenë pjesë e tij deri dje.
Sepse ta themi qartë: këta nuk janë opozitë. Janë opozita e rehatshme e regjimit. Opozita e rrjeteve sociale. Opozita e kolltukut parlamentar. Opozita që ankohet, por nuk rrezikon. Opozita që flet me zë të lartë vetëm kur e di se në fund do të votojë me kokën ulur.
Edi Rama i njeh mirë. Më mirë se ç’e njohin ata veten.
Prandaj ua qep kostumin politik sipas përmasave: pak rebelim për konsum publik, pak dramë televizive, pak status në Facebook dhe, në fund, një karton i ngritur aty ku duhet. Një kundërshtim i lejuar, i matur, i padëmshëm. Një lloj pakënaqësie që nuk e shqetëson kurrë pushtetin, sepse pushteti e di që në çastin vendimtar ata kthehen në rresht.
Këta janë karrieristë mediokër, njerëz që duan të duken të pavarur pa paguar asnjë çmim për pavarësinë. Të paaftë për të qenë dikush jashtë logos së PS-së, të etur për pak protagonizëm, por tmerrësisht të trembur nga ideja se mund të humbasin vendin në rresht.
Në këtë politikë, mund të jesh kundër deri në momentin që të kërkohet të votosh. Pastaj fillon pjesa serioze: bindja, heshtja dhe shpjegimi i nesërm për turpin e sotëm.
Urime, pra, opozita e re brenda PS-së.
Si ju, Edi Rama ka edhe nja 2000 të tjerë.
Ndryshimi juaj me Zegjinenë është vetëm një: ajo të paktën është e sinqertë në budallallëkun e saj.
Ju jeni të ligj, të vegjël dhe qesharakë në ambiciet tuaja të mëdha.






















