Nga Desada Metaj
Propozimi më i fundit për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, konkretisht në nenet 103 dhe 104, pritet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si raportohet drejtësia në Shqipëri. Nën petkun e mbrojtjes së sekretit hetimor dhe prezumimit të pafajësisë, drafti vendos një mekanizëm të pazakontë për lirinë e medias: detyrimin e gazetarëve për të kërkuar "autorizim paraprak gjyqësor" përpara publikimit të çdo dokumenti apo të dhëne që lidhet me një dosje penale.
Kjo iniciativë nuk përbën thjesht një rregullim procedural, por prek drejtpërdrejt balancën kushtetuese mes fshehtësisë së hetimeve dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Filtri gjyqësor: Rikthimi i censurës paraprake?
Në qendër të debatit qëndron pika 14 e nenit 103. Sipas saj, çdo palë e tretë, e veçanërisht gazetarët dhe mediat, që bie në zotërim të të dhënave nën regjimin e sekretit hetimor, nuk mund t'i publikojë ato pa marrë më parë leje nga gjykata e shkallës së parë.
Gjykata do ta vlerësojë kërkesën duke peshuar integritetin e hetimit, mbrojtjen e të pandehurit dhe interesin publik. Por përtej terminologjisë juridike, ky mekanizëm konsiderohet nga doktrina kushtetuese si censurë paraprake (prior restraint).
Nëse amendamenti miratohet, media nuk do të mund të publikojë më me shpejtësi apo pavarësi të dhëna mbi korrupsionin apo çështje me sensibilitet të lartë publik, por do të duhet të presë vendimin e një gjykate.
Standardi Evropian: Barra i mbetet shtetit, jo gazetarit
Përplasja e këtij drafti me frymën evropiane është e qartë. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), përmes një jurisprudence të konsoliduar (si në çështjet Goodwin v. UK apo Dupuis v. France), ka përcaktuar me saktësi se:
1. Detyrimi për sekretin u përket zyrtarëve: Detyra për të ruajtur konfidencialitetin e procedimit rëndon mbi prokurorët, hetuesit, gjyqtarët dhe avokatët, jo mbi gazetarët.
2. Dështimi është institucional: Nëse një sekret hetimor "rrjedh" te media, përgjegjësia i mbetet organeve të drejtësisë që nuk arritën ta mbronin atë.
3. Përgjegjësia kërkohet pas publikimit: Shteti mund të vendosë sanksione civile apo penale pas publikimit nëse nuk ka pasur interes publik dominant, por nuk mund të bëjë rolin e redaktorit apo filtrit parandalues përmes kërkesave për leje botimi.
Asnjë vend anëtar i Bashkimit Evropian—nga Franca e Gjermania deri te Italia me amendamentet e saj të fundit strikte—nuk zbaton një skemë ku gazetari duhet të paraqesë kërkesë me shkrim në gjykatë për të marrë "leje publikimi".
Sanksionet dhe "Efekti Frikësues"
Për t'i dhënë agresivitet këtij kufizimi, neni 104 i draftit shtron rrugën për sanksione të dyfishta. Gazetarët ose mediat që publikojnë informacione pa autorizimin e gjykatës rrezikojnë jo vetëm përgjegjësi civile për shpërblim dëmi ndaj personave nën hetim, por edhe ndjekje penale.
Kjo përzierje masash krijon atë që në jurisprudencë njihet si "Chilling Effect" (efekti i zbrapsjes ose frikësimit). Përballë kërcënimit të padive financiare dhe procedimeve penale, shumë gazetarë investigativë mund të zgjedhin vetëcensurën, duke lënë në hije skandale me interes të lartë publik.
Gjithashtu, zhvendosja e të drejtës së ankimit nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit drejtpërdrejt në gjykatë (neni 103/2) e zgjat procesin administrativ e gjyqësor, duke e bërë lajmin të vjetruar përpara se gjykata të marrë një vendim përfundimtar.
Ndërsa mbrojtja e prezumimit të pafajësisë dhe privatësisë së individëve në proces penal është një detyrim ligjor dhe etik, zëvendësimi i lirisë së shtypit me "leje gjyqësore" përbën një hap pas për transparencën. A po mbron ky draft procesin gjyqësor, apo po krijon një mburojë burokratike për të mbajtur hetimet lejos syrit të publikut? Këto pyetje sigurisht që kanë një përgjigje juridike por në këtë rast me gjuhë të thjeshtuar publikut i thuhet: merruni me video banale që ju servirin në rrjet sepse dosjet e korrupsionit të politikanëve Edi Rama ka menduar ti mbrojë me ligj!






















