Editorial 22 September 2026, 19:52 Nga VNA

Çfarë dinte Kryeministri?

Ndaje në Whatsapp
Çfarë dinte Kryeministri?

Editorial nga Muriel

Të hënën, Vlora Hyseni ishte në Baku, mes drejtuesve të shërbimeve të inteligjencës nga dhjetëra vende. Përfaqësonte Shqipërinë në një botë ku marrëdhëniet ndërtohen mbi një gjë që nuk fotografohet dhe nuk shkruhet në komunikata, besimin.

Në Tiranë, ndërkohë, po ndodhte diçka krejt tjetër. Hetimi i SPAK-ut kishte mbërritur deri te drejtuesja e SHISH-it. GJKKO kishte vendosur ndaj saj arrest në shtëpi dhe pezullim nga detyra. Dyshimet janë të rënda: përkrahje e autorit të krimit dhe zbulim i akteve ose të dhënave sekrete. Hyseni gëzon prezumimin e pafajësisë. Këtë duhet ta themi qartë.

Por ka një kontrast që është e vështirë ta harrosh: ndërsa jashtë vendit përfaqësonte institucionin që ruan sekretet e Shqipërisë, në Tiranë drejtësia po ngrinte pikërisht dyshime që lidhen me sekretet e shtetit.

Edi Rama reagoi shpejt. Shkarkim. Dhe deklarata se askush nuk është mbi ligjin. Në rregull. Por shkarkimi zgjidh një post. Nuk zgjidh një pyetje. Çfarë dinte Kryeministri? Dhe, ndoshta më e rëndësishmja: çfarë duhej të dinte?

Sepse Vlora Hyseni nuk ishte një emër që Rama e gjeti rastësisht në një institucion të trashëguar nga një qeveri tjetër. Ajo kishte qenë këshilltarja e tij për sigurinë kombëtare. Në mars 2023, ishte Rama që ia propozoi Presidentit Bajram Begaj për drejtimin e SHISH-it. Në atë kohë, Kryeministri foli publikisht me besim për përgatitjen, eksperiencën dhe reputacionin e saj profesional. Presidenti e dekretoi pak javë më vonë.

Pra historia është shumë e thjeshtë. Hyseni punoi pranë Kryeministrit. Kryeministri e propozoi për institucionin më sensitiv të sigurisë shqiptare. Për më shumë se tre vjet ajo drejtoi SHISH-in. Sot është nën një masë sigurie të kërkuar nga SPAK-u.

Kjo nuk provon se Rama dinte për veprimet që sot heton drejtësia. Nuk provon as ndonjë përgjegjësi penale të tij. Por përgjegjësia penale dhe ajo politike nuk janë e njëjta gjë. E para provohet në gjykatë dhe është individuale. E dyta fillon shumë më herët: te njerëzit që zgjedh, besimi që u jep dhe institucionet që ndërton rreth tyre.

Dhe pikërisht këtu historia e Hysenit bëhet histori e Kryeministrit. SHISH nuk është një drejtori që merret me leje ndërtimi apo një agjenci që administron tendera. Është institucioni që duhet të shohë atë që pjesa tjetër e shtetit nuk sheh. Duhet të dallojë rrezikun përpara se ai të trokasë në derë. Dhe, mbi të gjitha, duhet të informojë Kryeministrin.

Prandaj Rama mund të mos ketë ditur. Por atëherë vjen pyetja tjetër: Pse nuk dinte? A kishte Kryeministria sinjale për atë që sot po heton SPAK-u? Nëse kishte, kur mbërritën? Kush i mori? Çfarë u bë me to? Dhe kur e mësoi Rama se drejtuesja e shërbimit sekret ishte objekt i një hetimi të kësaj natyre? Para se Hyseni të nisej për Baku? Ndërsa ishte atje? Apo vetëm kur drejtësia veproi?

Këto nuk janë pyetje për të prodhuar fajtorë. Janë pyetje normale për mënyrën se si funksionon një shtet. Sepse nëse Kryeministri kishte informacion, publiku duhet të dijë çfarë bëri me të. Nëse nuk kishte, duhet të kuptojmë pse sistemi që duhet ta informonte nuk e informoi. Dhe nëse askush në majën e shtetit nuk kishte kuptuar asgjë deri sa mbërriti SPAK-u, atëherë kemi një problem tjetër, jo më të vogël. Kemi një problem me vetë sistemin.

Këtu Baku merr një kuptim tjetër. Në një kryeqytet të huaj, drejtuesja e SHISH-it ishte mes homologëve të saj ndërkombëtarë. Në Tiranë, drejtësia po vendoste pezullimin dhe arrestin e saj në shtëpi. Në një vend, ajo përfaqësonte besimin e shtetit shqiptar. Në tjetrin, shteti po hetonte nëse ky besim ishte cenuar.

Në inteligjencë, besimi është pothuajse gjithçka. Një informacion ndahet sepse pala tjetër besohet se do ta ruajë. Një burim mbrohet sepse besohet se emri i tij nuk do të dalë. Një partneritet funksionon sepse sekreti që hyn nga një derë nuk del nga tjetra.

Nuk kemi prova publike se NATO, Shtetet e Bashkuara apo shërbimet partnere kanë kufizuar bashkëpunimin me Shqipërinë. Nuk duhet ta pretendojmë. Por është po aq e vështirë të besohet se një hetim ndaj drejtueses së inteligjencës për dyshime që lidhen me informacion sekret nuk do të prodhojë pyetje te partnerët. Edhe ata, në fund, do të duan të dinë çfarë ka ndodhur. Ashtu si publiku shqiptar.

Dhe këtu Rama ka një problem që nuk zgjidhet duke ndryshuar emrin në derën e drejtorit të SHISH-it. Në Shqipëri jemi mësuar me një ritual. Kur SPAK godet një zyrtar të lartë, qeveria thotë se përgjegjësia është individuale dhe se drejtësia duhet lënë të bëjë punën e saj. Është e vërtetë. Por është vetëm gjysma e së vërtetës.

Sepse një Kryeministër nuk mban përgjegjësi politike vetëm për atë që mund t’i provojë një prokuror. Mban përgjegjësi edhe për njerëzit që zgjedh, standardet me të cilat i zgjedh dhe mënyrën si funksionojnë institucionet që u beson. Rama nuk mund të marrë meritën politike për njerëzit që promovon kur gjërat shkojnë mirë dhe të bëhet spektator i tyre kur te dera shfaqet drejtësia.

Sidomos këtë herë. Vlora Hyseni kishte qenë këshilltarja e tij për sigurinë. Ai e propozoi për SHISH-in. Ajo drejtoi për vite institucionin që kishte për detyrë t’i tregonte Kryeministrit gjërat që të tjerët nuk i dinin. Dhe ky është paradoksi që mbetet pasi zhurma e operacionit të SPAK-ut të shuhet.

Njeriu që kishte për detyrë të dinte sekretet e shtetit, sot hetohet për dyshime që lidhen me sekretet e shtetit. Edi Rama mund të mos ketë ditur. Por për një Kryeministër, ndonjëherë pyetja nuk është vetëm “A dije?” Është edhe: “A duhej të dije?” Dhe nëse përgjigjja është po, atëherë mbetet edhe një e fundit: “Pse nuk dije?”

Rama mund ta shkarkojë Vlorë Hysenin. Nuk mund të shkarkojë bashkë me të edhe pyetjet. Sepse, pasi mbyllet dera e SHISH-it dhe ikin kamerat nga SPAK-u, njëra prej tyre mbetet ende mbi tavolinën e Kryeministrit: Çfarë dinte, çfarë duhej të dinte dhe kur e mori vesh?

Video

Një zjarr ka rënë në fshatin Shën Pjetër, në zonën e Gjirit të Lalëzit, pranë vijës bregdetare. Sipas burimeve nga shërbimi zjarrfikës, për arsye sigurie janë evakuuar disa turistë që ndodheshin pranë një hoteli në zonë. Në vendngjarje janë angazhuar një numër i madh efektivësh dhe mjetesh zjarrfikëse nga repartet e Durrësit, Tiranës, Kamzës dhe Shijakut, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.

Autoritetet amerikane kanë ndaluar pranë brigjeve të Floridës një varkë me 22 emigrantë që dyshohet se po tentonin të hynin ilegalisht në SHBA. Mes tyre ndodheshin 13 shtetas kinezë. Varka u diktua pranë Key Largo, ndërsa më pas ndërhynë agjentët kufitarë dhe Roja Bregdetare amerikane. Gjatë operacionit u ndalua edhe një person i dyshuar si trafikant kuban. Sipas burimeve të cituara nga Fox News, tentativa konsiderohet e pazakontë dhe shumë e rrezikshme, pasi shtetasit kinezë rrallë përdorin rrugët detare të Karaibeve për të hyrë në SHBA.

Lian Yunji, një vajzë vetëm 6 vjeçe nga Kina, ka thyer dy herë brenda tri ditësh rekordin botëror për femra në zgjidhjen e Kubit të Rubikut. Fillimisht, ajo regjistroi një mesatare prej 4.52 sekondash në një garë në Wuhan. Vetëm pak ditë më vonë, në Guangzhou, Lian e përmirësoi rekordin në 4.27 sekonda. Sipas BBC-së, ajo është femra e parë në botë që e zgjidh kubin me një mesatare nën 4.5 sekonda. Vogëlushja nga provinca Sichuan ka mësuar mbi 1,300 algoritme për zgjidhjen e tij. Gjatë vitit të fundit, ajo është stërvitur intensivisht nga dy deri në tri orë çdo ditë.

Pyetje që doktori ka 35 vjet që i dëgjon dhe 35 vjet që premton se do t’i zgjidhë sapo të marrë pushtetin

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme