Ka një mënyrë të gabuar për ta nisur debatin mbi pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve: duke pyetur nëse ata marrin shumë. Pyetja që ia vlen është tjetër: çfarë drejtësie merr Shqipëria për investimin që po bën?
Një gjyqtar që duhet të vendosë për një ministër, një biznesmen të fuqishëm apo një pronë milionëshe nuk mund të jetë ekonomikisht i pambrojtur. Një prokuror që heton pushtetin duhet të ketë sa më pak arsye për t’iu trembur atij dhe sa më pak tundime për t’iu nënshtruar parasë. Paga e mirë, në këtë kuptim, nuk është dhuratë. Është pjesë e pavarësisë.
Shqipëria ka investuar fort te kjo garanci. Sipas CEPEJ-it, Komisionit Europian për Efikasitetin e Drejtësisë të Këshillit të Europës, në vitin 2024 paga bruto e një gjyqtari shqiptar në fillim të karrierës ishte rreth 4.8 herë paga mesatare bruto e vendit; për një prokuror raporti ishte rreth 4 herë.
Kjo nuk do të thotë se magjistratët paguhen tepër. Do të thotë se një vend relativisht i varfër ka bërë një zgjedhje të kushtueshme: t’u japë njerëzve që administrojnë drejtësinë një siguri ekonomike shumë më të madhe se ajo e qytetarit mesatar.
Atëherë është krejt e arsyeshme të shohim edhe anën tjetër të faturës: çfarë mori qytetari?
Për dikë që pret një vendim për pronën, divorcin, kontratën apo lirinë e tij, reforma në drejtësi nuk është një kapitull negociatash me Bashkimin Europian. Është një kalendar.
Në vitin 2023, sipas CEPEJ-it, për çështjet civile dhe tregtare me konflikt në shkallën e parë, koha teorike e nevojshme për zgjidhjen e çështjeve në Shqipëri ishte 462 ditë, ndërsa clearance rate rreth 87 për qind. Pra, përfundoheshin më pak çështje sesa hynin.
Por jo gjithçka ka lëvizur në drejtimin e gabuar. Në gjykimin administrativ të shkallës së parë, clearance rate u rrit nga 91 për qind në 2023 në 103 për qind në 2024, ndërsa koha teorike e zgjidhjes ra nga 229 në 208 ditë. Ky është përmirësim dhe duhet thënë.
Ndoshta pikërisht këtu duhet të fillojë një bilanc serioz i reformës. Jo te deklarata se ajo ka dështuar. As te pretendimi se ajo ka përfunduar me sukses. Por te ajo që sistemi prodhon çdo ditë.
Edhe Komisioni Europian, institucioni ekzekutiv i BE-së që monitoron Shqipërinë në procesin e anëtarësimit, në vlerësimet e vitit 2026 njeh përfundimin e vettingut dhe forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe integritetit të drejtësisë. Në të njëjtën kohë, evidenton probleme që vazhdojnë me vlerësimet profesionale, kapacitetet institucionale, stokun e çështjeve dhe sistemin elektronik të menaxhimit të tyre.
Dhe këtu vijmë te një temë për të cilën flitet shumë më pak se për pagat: sa punon sistemi?
Sa çështje merr një gjyqtar dhe sa përfundon? Sa prej tyre mbeten dy, tre apo pesë vjet? Sa procedime mbyll një prokuror? Sa dërgon për gjykim? Sa kohë qëndrojnë dosjet në tavolinë?
Nuk ka kuptim t’i numërosh mekanikisht. Një dosje korrupsioni të nivelit të lartë nuk është e barabartë me një konflikt të zakonshëm civil. Por kjo kërkon matje më të mirë, jo mungesë matjeje.
Ka edhe pretendime se në gjykata apo prokurori të caktuara disa magjistratë paraqiten fizikisht vetëm disa ditë në javë. Pa dokumente, këto mbeten pretendime dhe nuk duhet të trajtohen si fakte. Por institucionet e qeverisjes dhe kontrollit të drejtësisë duhet të jenë në gjendje të thonë diçka shumë më të rëndësishme se sa ditë kalon dikush në zyrë: a e dimë sa punon dhe çfarë prodhon secili magjistrat?
Pavarësia do të thotë që askush nuk duhet t’i telefonojë gjyqtarit për t’i treguar si të vendosë. Nuk do të thotë se puna e tij nuk mund të matet.
E njëjta logjikë duhet zbatuar te Shkolla e Magjistraturës. Në vitin 2024 ajo diplomoi 55 kandidatë për magjistratë: 32 gjyqtarë dhe 23 prokurorë. Por për të kuptuar sa i fortë është filtri, duhet një shifër tjetër: sa prej atyre që hyjnë nuk arrijnë deri në fund?
Për çdo brez duhet të jetë e mundur të ndjekësh rrugën nga pranimi, te tre vitet e formimit, te diplomimi dhe, më pas, te emërimi. Nëse pothuajse të gjithë ata që hyjnë diplomohen, kjo nuk provon vetvetiu se Shkolla është e dobët. Por do të ngrinte një pyetje të drejtë: sa vazhdon seleksionimi pas konkursit të pranimit?
Në fund të fundit, reforma nuk kishte për qëllim vetëm të largonte një pjesë të gjyqtarëve të vjetër. Premtimi ishte të krijonte një brez më të mirë.
Prandaj, pas një dekade, pyetja nuk është nëse gjyqtari i ri është më i ri, më i paguar apo ka diplomën e Shkollës së Magjistraturës. Pyetja është nëse vendos më mirë, më shpejt, me më shumë profesionalizëm dhe me më pak hapësirë për korrupsion.
Dhe këtu është ndoshta prova më e vështirë e gjithë reformës.
Vettingu mbaroi. Rreziku i korrupsionit jo.
Vettingu kontrolloi pasurinë, figurën dhe profesionalizmin e brezit ekzistues. Komisioni Europian kërkon që standardet e krijuara prej tij të bëhen pjesë e funksionimit normal të sistemit. Me fjalë të tjera, Shqipëria nuk mund të presë një tjetër operacion të jashtëzakonshëm pas dhjetë vjetësh për të zbuluar problemet që lindin sot.
Nëse një gjyqtar apo prokuror i ri korruptohet, kush e zbulon? Kush vëren një rritje të pashpjegueshme të pasurisë, një konflikt interesi, një ndërhyrje në dosje apo një model të pazakontë vendimmarrjeje?
Këtu numri i arrestimeve, i marrë vetëm, mund të na mashtrojë. Pak raste mund të nënkuptojnë pak korrupsion, por edhe zbulim të dobët. Shumë raste mund të tregojnë një problem serioz, por edhe një sistem kontrolli që po funksionon.
Prandaj pyetja interesante nuk është vetëm sa magjistratë u kapën, por si u zbuluan. Sa raste i gjeti vetë sistemi? Sa nisën nga kallëzimet? Sa nga SPAK, ILD apo kontrollet e pasurisë? Sa kohë kaloi nga sinjali te masa dhe sa raste përfunduan me përgjegjësi të provuar?
Një sistem i pjekur nuk bën vetting çdo dhjetë vjet. Ai duhet të jetë në gjendje të pastrojë veten vazhdimisht.
Mbetet edhe një temë tjetër, më delikate. Kush po hyn në këtë sistem?
Sa prej magjistratëve të rinj janë fëmijë apo të afërm gjyqtarësh dhe prokurorësh? Sa prej familjarëve të tyre kaluan vettingun dhe sa u shkarkuan apo u larguan? A ka mes kandidatëve njerëz me lidhje politike të dokumentuara përpara hyrjes në sistem?
Vetë lidhja familjare nuk provon asgjë. Fëmija nuk trashëgon fajin e prindit dhe profesioni i prindit nuk mund t’i mbyllë derën një juristi të talentuar. Por pas një reforme që synonte të ndryshonte jo vetëm njerëzit, por edhe kulturën e drejtësisë, ia vlen të dimë nëse po krijohet një elitë e re profesionale apo nëse një pjesë e sistemit të vjetër po riprodhohet në brezin pasardhës.
Kjo nuk zgjidhet duke kërkuar mbiemra të njohur. Zgjidhet me të dhëna.
Ndoshta edhe debatin mbi pagat e kemi vendosur gabim. Sikur duhet të zgjedhim mes mbrojtjes së magjistratëve dhe uljes së pagave të tyre.
Unë do ta shtroja ndryshe.
Paguajini mirë. Mbrojini nga politika. Jepuni sigurinë që u duhet për t’i thënë “jo” një ministri, një oligarku apo kujtdo tjetër që përpiqet të ndikojë mbi ta.
Por pastaj kërkoni atë që duhet kërkuar nga çdo investim publik: rezultat.
Jo vendime që kënaqin qeverinë. As vendime që kënaqin opozitën. Por një sistem që prodhon më shumë cilësi, më shumë shpejtësi, më shumë integritet dhe më shumë përgjegjshmëri.
Komisioni Europian, në dialogun e tij të marsit 2026 me Shqipërinë për shtetin e së drejtës, e formuloi sfidën në terma të ngjashëm: ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit duhet të ecë paralelisht me forcimin e llogaridhënies, cilësisë dhe efikasitetit.
Kjo, në fund, është kontrata.
Për një dekadë Shqipëria pyeti nëse politika po e linte drejtësinë të ishte e pavarur. Ishte pyetja e duhur.
Tani duhet bërë edhe tjetra:
Çfarë po bën drejtësia me pavarësinë, statusin dhe sigurinë ekonomike që shoqëria i dha?
Sepse paga e lartë e magjistratit nuk është problemi.
Është premtimi.
Dhe standardi europian nuk matet vetëm në borderonë e gjyqtarit.
Matet në cilësinë e vendimit dhe në kalendarin e qytetarit që pret te dera e gjykatës.






















