Pasi PS vendosi që më 8 tetor të miratojë pa konsensus reformën territoriale, Luçiano Boçi shfrytëzoi tryezën e Stabilizim-Asociimit për t’u kërkuar ndihmë ndërkombëtarëve.
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm u tha përfaqësuesve të BE-së se procesi po ecën në mënyrë të njëanshme, me opozitën që, sipas tij, po lihet jashtë vendimmarrjes.
“Nëse konsensusi për reformën territoriale braktiset sot, e njëjta gjë mund të ndodhë dhe me reformën zgjedhore. Duke anashkaluar mekanizmin ndërpartiak dhe duke ndryshuar rregullat themelore të zgjedhjeve vetëm me votat e mazhorancës”, tha Boçi.
Për Boçin, kjo mënyrë vendimmarrjeje nuk është thjesht një përplasje PS-PD, por prek edhe procesin e integrimit europian.
“Kjo është një çështje që duhet të na shqetësojë edhe në kuadër të integrimit europian, sepse ky i fundit nuk mund të matet vetëm me grup kapitujt e hapur dhe të mbyllur. Ai duhet të matet mbi të gjitha dhe me mënyrën si bëhet reforma, nëse parlamenti funksionon realisht, nëse vendimmarrja mbështetet në kritere objektive dhe të dhëna dhe nëse rregullat që ndikojnë konkurrencën demokratike imponohen nëpërmjet dialogut. U bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të inkurajojnë PS-në të rikthejë procesin ndërpartiak”, bwri thirrje Boçi.
Përgjigjja e Taulant Ballës që ndodhej në atë tryeze ishte më shumë procedurale sesa politike: konsensusi mund të diskutohet, por mandati kishte skaduar.
“Duhet të jemi korrekt, koleg, atij komisioni i mbaroi mandati. Nuk pati një kërkesë për shtyrje afati. Procedura parlamentare pas përfundimit të afatit nuk lejon zgjatjen e afatit. Ai komision ka qenë shembulli më i mirë se si mund të bëhet një punë së bashku. Gjithsesi, procedura parlamentare nuk ka përfunduar. Te Komisioni i Çështjeve Ligjore, duke respektuar afatet parlamentare, ne kemi mundësi ta miratojmë në kohë. Nuk është një reformë e thellë”, u shpreh Balla.
Pavarësisht këtij argumenti, socialistët e njohin mirë praktikën e shtyrjes së afateve të komisioneve parlamentare, sidomos kur vijimi i tyre përkon me interesin politik të mazhorancës. Këtë herë, me sa duket, afati u bë i panegociueshëm.






















