Kryeministri Edi Rama i ka ftuar sot përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë në një tryezë për pagat e magjistratëve, vetëm pak ditë pasi mazhoranca miratoi në Kuvend ligjin e kundërshtuar nga gjyqtarët, prokurorët dhe opozita.
Ftesa vjen pasi çështja është mbyllur politikisht me votat e shumicës, por jo juridikisht. Ligji u miratua të enjten me 84 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim, pavarësisht pretendimeve se formula e re nuk reflekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pak orë më pas, ai u dekretua edhe nga Presidenti, ndërsa magjistratët kanë paralajmëruar se do ta çojnë sërish në Kushtetuese.
Në reagimin e tij në rrjetin social X, Rama deklaroi se palët duhet të diskutojnë për një zgjidhje afatgjatë të pagave në drejtësi. Sipas tij, në tryezë do të jenë të pranishëm edhe ekspertë të Këshillit të Evropës dhe të Komisionit Evropian për Efiçencën e Drejtësisë, CEPEJ. Kryeministri tha se çështja duhet trajtuar me “urtësi dhe durim”, për të dhënë një shembull dinjiteti përpara qytetarëve dhe partnerëve.
Por rendi i ngjarjeve është ai që e bën ftesën politike: fillimisht mazhoranca kaloi variantin e saj në Kuvend, më pas Presidenti e dekretoi me shpejtësi dhe vetëm pas kësaj Rama kërkoi tryezë. Pra, dialogu nuk u përdor për të ndërtuar formulën, por u ofrua pasi formula ishte bërë ligj.
Në sfond të kësaj përplasjeje është edhe kallëzimi penal i bërë nga përfaqësues të sistemit gjyqësor ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë dhe drejtuesve të degëve të Thesarit për mosprocesimin e pagave. Sipas raportimeve mediatike, SPAK ka kërkuar dhe marrë dokumentacion në Ministrinë e Financave dhe në Kuvend, duke nisur verifikimet paraprake për çështjen.
Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar publik nga SPAK për regjistrimin e një procedimi penal me persona nën hetim, ndaj formulimi i saktë mbetet se prokuroria ka nisur verifikimet dhe ka administruar dokumente. Por fakti që letrat janë marrë nga SPAK e vendos ftesën e Ramës në një kontekst edhe më delikat.
Kryeministri sot kërkon “urtësi dhe durim” në tryezë, pasi më parë përdori kartonët e mazhorancës për ta mbyllur çështjen në Kuvend. Për magjistratët, beteja tashmë ka dy fronte: Gjykatën Kushtetuese për ligjin e ri dhe SPAK-un për mënyrën se si u bllokuan pagat para miratimit të tij.






















