Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku përveç pjesëmarrjes zyrtare në punimet e Javës së Kombeve të Bashkuara, do të zhvillojë edhe një takim me komunitetin shqiptar në Michigan me moton "Me shqiptarët për shqiptarët".
Ndonëse Rama u përpoq ta paraqesë këtë udhëtim kryesisht në kuadër të angazhimeve dypalëshe në Kombet e Bashkuara, përfshirja e takimeve me diasporën sjell një shije të ngjashme me formatin e sjelljeve të kundërshtarit.
Vetëm pak ditë përpara këtij njoftimi, Sali Berisha kreu një tur takimesh në SHBA, ku u prit nga komuniteti shqiptaro-amerikan në New Jersey dhe zhvilloi takime me diasporën në Dallas, Teksas.
Gjithashtu, Berisha mori pjesë në konventën e zhvilluar në Dallas si pjesë e delegacionit të Bashkimit Ndërkombëtar Demokrat (IDU) dhe pati takime me zyrtarë e personalitete politike amerikane.
Pas këtij mbulimi mediatik të opozitës me diasporën shqiptare, Rama nxitoi të publikojë posterin e tij zyrtar për takimin në Troy, Michigan (Marriott of Troy).
Kryeministri po shfrytëzon axhendën e OKB-së për të organizuar takime partiake me shqiptarët e Amerikës, duke ngritur pyetjen në rrethet politike nëse ky hap vjen si nevojë e sinqertë apo si një kompleks për të imituar lëvizjet e kundërshtarit të tij politik.






















