
Çuditë e politikës shqiptare nuk kanë të sosur, por transformimi i kryetares së Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj, i kalon kufijtë e çdo ironie. Pasi i shërbeu me besnikëri të verbër pushtetit të Edi Ramës për vite me radhë, duke duartrokitur çdo vendim të Partisë Socialiste dhe duke zbatuar me përpikëri udhëzimet e "Udhëheqësit", sot ajo gjendet përballë një realiteti të hidhur: vetë Rama ka vendosur ta shkrijë bashkinë që ajo drejton, në kuadër të reformës së re territoriale.
Sfondi i kësaj përplasjeje shpërfaqi përplasjet e ashpra në mbledhjet e mbyllura të PS-së, ku pasioneve të dikurshme u doli boja dhe kryeministri nuk hezitoi t'i vendoste shkelmin e radhës një prej ushtarëve të tij më të bindur.
Dhe çfarë bën Juliana Memaj kur e sheh veten të mbetur jashtë lojës nga kryetari i saj? Gjen strehë dhe shpresë te "armiqtë" e djeshëm.
Në një postim të fundit, Memaj ka shpërndarë foton e një të riu demokrat dhe shkruan:
"Florian Topi, bir i Bistrovices, një zë opozitar që meriton mirënjohje! Ai zgjodhi të flasë me guxim, dinjitet dhe vendosmëri në mbështetje të Dimalit dhe të drejtës së padiskutueshme te komunitetit te tij, për të pasur autonomi lokale"
Është sa qesharake, aq edhe therëse: sa kohë që karrigia ishte e sigurt dhe bekimin e kishte nga Rama, Memaj nuk kishte nevojë as për autonomi lokale e as për zëra opozitarë.
Por sot, kur partia e vet e flak pa doreza, ajo zbulon se opozitarët paskan "guxim, dinjitet dhe vendosmëri".
Pasi kaloi vite me rradhë duke u përulur para pushtetit qendror, sot i duhet të kapet pas "fëmijëve të PD-së" për të kërkuar pak shpëtim politik.
Një mësim klasik mbi fatin e atyre që besojnë se besnikëria ndaj kryetarit të partisë i mbron përgjithmonë.























