Kur Fatmir Xhafaj doli në foltoren e Kuvendit dhe u tha magjistratëve se e kishin “zhgënjyer pak”, në fakt hapi një debat shumë më të madh se sa çështja e pagave.
Sepse problemi nuk është vetëm nëse magjistratët kërkojnë më shumë, apo nëse qeveria po vonon një zgjidhje. Problemi është se vendimet e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri po lexohen dhe po zbatohen sipas interesit: me urgjencë kur hapin listë pagash, me qetësi kur prekin çështje të tjera të ndjeshme institucionale.
Gjykata Kushtetuese, në një shtet normal kushtetues, është institucioni që vendos standardin përfundimtar mbi interpretimin e Kushtetutës. Vendimet e saj nuk duhet të jenë as menu politike, as armë presioni, as alibi institucionale. Ato duhet të zbatohen njësoj, pavarësisht nëse i pëlqejnë qeverisë, gjykatave, magjistratëve apo çdo aktori tjetër publik.
Pikërisht këtu nis problemi shqiptar: jo te ekzistenca e Gjykatës Kushtetuese, por te mënyra si institucionet dhe aktorët publikë zgjedhin ta lexojnë dhe ta zbatojnë atë.
Pas veprimeve të ish-kryetares Olta Zaçaj dhe ndonjë anëtari tjetër, Gjykata Kushtetuese ka marrë goditje në perceptimin publik. Por edhe ky dëm nuk e rrëzon parimin themelor: vendimet e saj janë të detyrueshme dhe nuk mund të respektohen vetëm kur shërbejnë si argument i leverdishëm.
Rasti i Erion Veliajt është një shembull i këtij standardi të ndryshëm. Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë mbi paraburgimin e kryebashkiakut të Tiranës dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim.
Ky vendim kishte brenda vetes disa interpretime të mundshme juridike dhe politike. Mund të lexohej si vërejtje procedurale ndaj Gjykatës së Lartë, si kërkesë për një arsyetim më të plotë, apo si nevojë për të peshuar më qartë raportin mes masës së sigurisë, proporcionalitetit dhe mandatit të një të zgjedhuri vendor.
Por, pavarësisht këtyre interpretimeve, ai vendim nuk u mor shumë parasysh në debatin publik dhe institucional. Nuk u kthye në çështje të madhe për standardin e zbatimit të vendimeve të Kushtetueses. Nuk prodhoi të njëjtën urgjencë politike, institucionale apo profesionale që po prodhon sot vendimi për pagat.
Më 15 shtator, Gjykata e Lartë vendosi që Veliaj të mbetet në paraburgim, duke lënë në fuqi vendimin e 13 marsit 2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit. Me kaq, debati mbi peshën reale të vendimit të Kushtetueses u mbyll pothuajse pa zhurmë.
Ndërkohë, kur Gjykata Kushtetuese u shpreh për pagat e magjistratëve, vendimi u kthye menjëherë në referencë absolute. Shoqatat e magjistratëve deklarojnë se mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, për shkak të mosrespektimit të hapur të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Këtu lind çështja kryesore: vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kenë peshë të ndryshme sipas interesit që prodhojnë.
Nëse standardi kushtetues është i detyrueshëm për pagat, duhet të jetë i detyrueshëm edhe për çdo çështje tjetër ku Kushtetuta hyn në lojë, pavarësisht nëse vendimi pëlqehet, kritikohet apo interpretohet ndryshe nga palët.
Në çështjen e pagave, debati u zhvendos shumë shpejt nga parimi kushtetues te përllogaritjet konkrete. Shoqatat e magjistratëve, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese si referencë, sot po flasin për lista pagash dhe formula financiare.
Por nëse kërkohet zbatimi strikt i një vendimi kushtetues, i njëjti rigorozitet duhet të vlejë edhe në rastet kur vendimi nuk prodhon përfitim të drejtpërdrejtë financiar.
Gjykata Kushtetuese është aty për të vendosur standardin kushtetues. Institucionet e tjera janë aty për ta zbatuar atë pa seleksionim.
Në këtë pikë, problemi nuk është vetëm juridik. Është politik, institucional dhe moral. Sepse në Shqipëri vendimi i Kushtetueses rrezikon të trajtohet si detyrim vetëm kur i shërben një pale dhe si bezdi procedurale kur nuk i leverdis askujt.
Kjo është pasoja më serioze e “post-reformës”: një sistem ku të gjithë i referohen Kushtetutës, por secili zgjedh momentin kur i duhet.
Për këtë, Edi Rama duhet të bëjë minimalisht një “mea culpa” për mënyrën si është ndërtuar dhe si funksionon sot ky ekuilibër institucional. Sepse nuk mjafton që Fatmir Xhafaj të dalë në foltoren e Kuvendit me ton empatik dhe, me shumë kujdes, t’u thotë magjistratëve: “Më keni zhgënjyer pak, çuna!”
Zhgënjimi më i madh nuk është te kërkesa e magjistratëve. Është te një sistem ku vendimet e Gjykatës Kushtetuese lexohen me zell kur prodhojnë përfitim dhe kalohen me qetësi kur kërkojnë përgjegjësi.






















