Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes në kohën e tragjedisë së Gërdecit dhe sot kryetar i Partisë Republikane, ka paralajmëruar se Ballkani mund të jetë një nga frontet e radhës të tensioneve ruse, nëse lufta në Ukrainë mbyllet ose hyn në një fazë tjetër.
Në një intervistë në A2 CNN, Mediu iu referua një takimi me kongresmenin amerikan Keith Self, ku, sipas tij, ishte ngritur alarmi për rajonin.
“Kur kemi qenë në takim bashkë me zotin Sali Berisha, me zotin Keith Self, tha se në qoftë se mbaron shpejt ose do të zgjidhet çështja e Ukrainës, do t’i vijë radha Ballkanit, por mos prisni që të ketë po të njëjtat qëndrime siç kanë qenë më përpara”, tha Mediu.
Sipas tij, ky është një alarm që politika shqiptare nuk po e lexon siç duhet. Mediu akuzoi qeverinë se është më e përqendruar te ruajtja e pushtetit sesa te interesi kombëtar, duke e lidhur këtë edhe me situatën në Tiranë.
“Ky është një alarm, por ne nuk duam ta lexojmë këtë alarm. Sepse qendrat e vendimmarrjes së pushtetit ekzekutiv shikojnë më tepër interesin e pushtetit dhe për të mos i dhënë asnjë mundësi zhvillimi normal as Shqipërisë, as shqiptarëve dhe as interesit tonë kombëtar. Ky është një problem i madh sidomos për Tiranën”, u shpreh ai.
Në vijim, Mediu solli si shembull Serbinë, duke thënë se Beogradi investon mbi 3% të buxhetit në mbrojtje, edhe pse, sipas tij, nuk ka një kërcënim të drejtpërdrejtë. Ai e lidhi këtë me marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën.
“Pse Serbia investon në mbrojtje mbi 3% të buxhetit, në një kohë që nuk ka asnjë kërcënim dhe është në marrëdhënie me Kinën dhe me Rusinë? Të njëjtin konstatim kishin edhe kongresmenët në dëgjesën që u bë”, tha Mediu.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një pozitë më të brishtë për shkak të korrupsionit, trafikut të drogës dhe mungesës së zgjedhjeve të lira, ndërsa Serbia ka një mbështetje gjeopolitike “shumë herë më të përcaktuar”.
Paralajmërimi i Mediut vjen me tonin e një politikani që sheh rrezikun te kufijtë e Europës dhe dobësinë brenda vendit. Ironia është se për sigurinë kombëtare flet pikërisht një ish-ministër Mbrojtjeje, emri i të cilit mbetet i lidhur me një nga plagët më të rënda të sigurisë së brendshme në Shqipëri: Gërdecin.






















