
Tenderi 43 milionë lekësh i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mirëmbajtjen e sistemeve teknologjike nuk duket më si një episod i izoluar prokurimi. Sa më shumë hapen dokumentet, aq më shumë historia shkon përtej një gare ku dy ofertues më të lirë u nxorën jashtë loje dhe në fund mbeti në këmbë bashkimi i kompanive me ofertën më të shtrenjtë.
Në qendër të kësaj historie është bashkimi i operatorëve INTELISOFT–WOW DIGITAL. INTELISOFT është në pronësi të biznesmenit Gëzim Hoxha, vëllait të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Emri i Hoxhës dhe i kompanisë tjetër të tij, “FIRST”, është përmendur më herët në raportimet mbi dosjen e AKSHI-t dhe tenderët publikë në fushën e teknologjisë.
Por zhvillimi i ri e bën panoramën më të rëndë. Të dhënat publike tregojnë se i njëjti bashkim operatorësh, INTELISOFT–WOW DIGITAL, kishte fituar edhe më parë kontrata në KQZ, para tenderit të kontestuar të vitit 2025.
Vetëm gjatë vitit 2024, ky bashkim kompanish rezulton fitues në tre kontrata të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në shtator 2024, INTELISOFT–WOW DIGITAL u shpall fitues me rreth 9.8 milionë lekë për krijimin e moduleve të reja dhe përmirësimin e atyre ekzistuese.

Në nëntor të po atij viti, fitoi një tjetër kontratë me vlerë 5.8 milionë lekë për mirëmbajtjen e moduleve gjatë periudhës zgjedhore.


Ndërsa në dhjetor 2024, rezulton fitues edhe në një kontratë tjetër me vlerë 2.8 milionë lekë për modulin e raportimit në kohë reale të aktiviteteve publike.


Të treja këto kontrata të mëparshme, janë dhënë në mungesë të garës. Ndërsa në këtë të fundit u tentua të kishte garë mes kompanishë, por KQZ edhe në këtë rast zgjodhi të ndërhynte për ta cenuar konkurrencën.
Pra, kur KQZ hapi tenderin e ri për “Mirëmbajtjen e moduleve ekzistuese”, INTELISOFT dhe WOW DIGITAL nuk ishin emra të panjohur për institucionin. Ato kishin punuar tashmë me modulet e KQZ-së dhe kishin fituar disa kontrata brenda një periudhe të shkurtër.

Pikërisht kjo histori kontratash e bën edhe më të rëndësishme pyetjen nëse procedura e radhës po shkonte sërish drejt të njëjtëve operatorë. Dyshimet forcohen nga mënyra si u zhvillua gara dhe sidomos nga ndërhyrja në sistem e një zyrtareje që nuk ishte pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Në tenderin me fond limit 42.97 milionë lekë pa TVSH, “EVOLVE WEB STUDIO” paraqiti ofertë rreth 33 milionë lekë, “INSTANT.AL” rreth 33.7 milionë lekë, ndërsa bashkimi INTELISOFT–WOW DIGITAL paraqiti ofertën më të lartë, rreth 40.82 milionë lekë. Megjithatë, dy ofertat më të lira u skualifikuan dhe në garë mbeti bashkimi me çmimin më të lartë.

Dokumentet e Komisionit të Prokurimit Publik nxjerrin në pah një element kyç: gjatë fazës së rivlerësimit në sistem shfaqet përdoruesi “Jonakqz Josifi”, i lidhur me Jona Josifin, në atë kohë Sekretare e Përgjithshme e komanduar e KQZ-së. Josifi nuk ishte pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, i cili përbëhej nga Daniela Alimemeti, Redion Lila dhe Fatjona Sulaj.

Sipas konstatimeve të evidentuara në procedurë, nga ky përdorues rezultojnë veprime në rivlerësimin e ofertave. Dy operatorët me çmimet më të ulëta, “INSTANT.AL” dhe “EVOLVE WEB STUDIO”, u vlerësuan me zero pikë në kriteret teknike, ndërsa INTELISOFT–WOW DIGITAL mori pikët maksimale. Me pak fjalë, në njërin krah zero, në krahun tjetër maksimumi.
KQZ ka mbajtur një tjetër qëndrim, duke argumentuar se klasifikimi përfundimtar gjenerohej automatikisht nga sistemi. Por pikërisht mospërputhja mes këtij shpjegimi dhe gjurmëve të evidentuara gjatë shqyrtimit të procedurës është një nga çështjet që kërkon sqarim të plotë.
Pas ankesave të operatorëve të dëmtuar, KPP e rrëzoi klasifikimin e KQZ-së si të paligjshëm dhe kërkoi kthimin e procedurës. Por historia nuk u mbyll aty. Paralelisht, KQZ kërkoi penalizimin e operatorit “INSTANT.AL”, me pretendimin se kishte paraqitur dokumente të rreme për ekspertin Granit Gjana.
Edhe këtu, Agjencia e Prokurimit Publik nuk e pranoi versionin e KQZ-së si të mirëqenë. APP konstatoi se nga verifikimet e kryera, përfshirë skanimin e kodeve QR në dokumente, certifikatat dhe diploma rezultonin në emër të Granit Gjanës. Për këtë arsye, APP i kërkoi KQZ-së të kryente verifikime zyrtare pranë vetë kompanisë lëshuese “Alison” dhe të sillte prova të plota, të përkthyera, të noterizuara dhe të njehsuara me vulë të njomë. Në të kundërt, kërkesa për penalizim do të konsiderohej e paparaqitur.
Kjo e vendos KQZ-në në një pozitë edhe më të vështirë. Nga njëra anë, një procedurë ku oferta më e lartë mbetet në lojë pas eliminimit të rivalëve më të lirë. Nga ana tjetër, një përpjekje për të goditur njërin prej operatorëve të skualifikuar, por pa prova të mjaftueshme për APP-në.
Historia bëhet edhe më e ndjeshme për shkak të emrit që qëndron pas INTELISOFT. Gëzim Hoxha është pronar i kësaj kompanie, por edhe i shoqërisë “FIRST”, e përmendur në raportimet mbi dosjen e AKSHI-t si një nga përfitueset e kontratave të mëdha publike në fushën e teknologjisë. Sipas raportimeve mediatike mbi këtë dosje, Hoxha ka deklaruar para hetuesve se kompania e tij kishte fituar një procedurë të përbashkët të AKSHI-t dhe AKSIK-ut me vlerë rreth 60 milionë euro. Kjo shumë dhe rrethanat e kontratave janë pjesë e raportimeve mbi hetimin dhe nuk përbëjnë në vetvete konstatim fajësie ndaj tij.
Emri i Hoxhës është lidhur në raportime edhe me “Durana Tech Park”, ku dyshohet për skema transferimi aktiviteti përmes subjekteve të reja dhe përfituesve realë të njëjtë. Edhe këto janë çështje të raportuara në kuadër të hetimeve dhe dyshimeve për kontratat publike të teknologjisë.
Në këtë pikë, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm te një emër përdoruesi në sistem. Në krye të institucionit është Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi. Edhe nëse dokumentet e deritanishme nuk provojnë se ai ka urdhëruar apo kryer ndërhyrjen, drejtimi i KQZ-së ka përgjegjësi institucionale për të shpjeguar publikisht kush kishte akses, me çfarë autorizimi, çfarë veprimesh kreu dhe pse një person jashtë KVO-së shfaqet në procesin e rivlerësimit.
Sepse nuk bëhet fjalë për një institucion dosido. Bëhet fjalë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionin të cilit qytetarët i besojnë administrimin e procesit zgjedhor. Pikërisht për këtë arsye, një histori mbi aksesin e një zyrtari jashtë komisionit përkatës në një sistem elektronik të KQZ-së merr peshë shumë më të madhe sesa një konflikt i zakonshëm tenderësh.
Rasti ngre një pyetje legjitime që KQZ duhet ta sqarojë: nëse kontrollet e aksesit lejuan që një person jashtë KVO-së të kryente veprime në sistemin e prokurimit, çfarë garancish teknike dhe procedurale ekzistojnë që e njëjta gjë të jetë e pamundur në sistemet e tjera të institucionit?
Kjo nuk do të thotë se ka prova që sistemet zgjedhore apo votat janë cenuar. Por për një institucion që administron zgjedhjet, siguria e aksesit në sistemet elektronike dhe përcaktimi i qartë se kush mund të ndërhyjë në to janë çështje që prekin drejtpërdrejt besimin publik.
Vetë fakti që INTELISOFT–WOW DIGITAL kishte fituar më parë kontrata të KQZ-së nuk provon në vetvete shkelje ligjore. Por kur i njëjti bashkim kompanish merr kontrata të njëpasnjëshme për modulet e KQZ-së dhe më pas përfiton nga një procedurë ku rivalët më të lirë eliminohen pas një procesi të kontestuar pikëzimi, pyetja për konkurrencën bëhet e pashmangshme.
A kemi thjesht një operator që fiton vazhdimisht gara të rregullta, apo një treg që po mbyllet gjithnjë e më shumë rreth të njëjtëve emra?
Këtë herë përgjigjja nuk i duhet vetëm kompanive që humbën tenderin. I duhet publikut. Sepse kur në diskutim është KQZ-ja, besimi te mënyra si funksionojnë sistemet e saj vlen shumë më tepër se 43 milionë lekët e një tenderi.






















