Sociale 17 September 2026, 16:13 Nga VNA

ARRSH vijon të “qerasë” me tendera biznesmenët në dosjen Balluku, Ami Kozeli skualifikon 7 ofertat më ekonomike, i jep 14.4 mln euro Paqësor Buzit

Ndaje në Whatsapp

ChatGPT Image Sep 17, 2026, 04_12_55 PM.png

Një tjetër kontratë milionëshe e Autoritetit Rrugor Shqiptar ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po shpërndahen paratë publike në tenderët e mëdhenj të infrastrukturës.

Në qendër të historisë është “G.P.G. COMPANY”, kompania ku biznesmeni Paqësor Buzi zotëron 50% të aksioneve. Emri i tij dhe i kompanisë janë përmendur në kuadër të hetimeve të SPAK-ut që lidhen me çështjen e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Por ndërsa hetimet vazhdojnë, dyert e kontratave publike nuk janë mbyllur.

Përkundrazi, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituese “G.P.G. COMPANY” në tenderin për “Rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa, Loti 3”, një procedurë me fond limit rreth 1.36 miliardë lekë ose 14.4 milionë euro.

tender.PNG

Sipas dokumenteve të tenderit, shfaqën interes 14 kompani. Nëntë prej tyre u skualifikuan nga ARRSH, ndërsa fituese u shpall “G.P.G. COMPANY”.Deri këtu mund të dukej si një procedurë normale prokurimi. Por tabela e ofertave e ndryshon tërësisht pamjen.

fituees.PNG

Nga nëntë kompanitë e skualifikuara, shtatë kishin paraqitur oferta më të ulëta se kompania e shpallur fituese. Pra, në vend që gara të përfundonte me një nga ofertat më ekonomike, ARRSH ka nxjerrë jashtë konkurrimit një varg operatorësh më të lirë dhe kontrata milionëshe ka përfunduar te “G.P.G. COMPANY”.

Ligjërisht, oferta më e ulët nuk është domosdoshmërisht oferta fituese, një operator mund të skualifikohet nëse nuk plotëson kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit. Por kur shtatë oferta më të lira dalin jashtë garës dhe në fund fiton një ofertë më e shtrenjtë, të bën të mendosh nëse kemi të bëjmë me mosplotësim kriteresh apo me tender me fitues të paracaktuar.

Kompania që merr kontratën nuk është një emër i panjohur në tenderët e mëdha të infrastrukturës. Paqësor Buzi dhe kompania “G.P.G. COMPANY” janë pjesë e dosjes voluminoze të SPAK-ut mbi ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ku po analizohen skemat e abuzimit me kontratat publike në rrugë e energji. Pas sekuestrimit të telefonave dhe pajisjeve elektronike të zyrtarëve të implikuar, hetuesit po zbërthejnë dyshimet se si kjo kompani, përmes bashkëpunimit me zyrtarë të linjës në ARRSH dhe KESH, mund të ketë përfituar rreth 160 milionë euro fonde publike me procedura fiktive e dokumente të manipuluara.

Fakti që një kompani apo pronari i saj është nën hetim nuk e bën atë automatikisht fajtore dhe as e përjashton nga e drejta për të marrë pjesë në tenderë publikë. Përgjegjësia penale përcaktohet vetëm nga gjykata.

Por kjo nuk e zhduk një pyetje tjetër, që është krejtësisht legjitime, si po zhvillohet konkurrenca për miliona euro të taksapaguesve dhe pse pikërisht kompanitë e përfshira në hetime rezultojnë fituese?

Sepse ndërsa SPAK heton tenderët e së shkuarës, makineria e prokurimeve vazhdon të prodhojë kontrata të reja për të njëjtët biznesmenë.

Video

Një histori e pazakontë vjen nga qyteti Homs në Siri, ku një burrë është rikthyer pas 15 vitesh te librat e fshehur pas një muri. Në tetor të vitit 2011, familja e tij izoloi bibliotekën me qindra vepra fetare e akademike për t'i mbrojtur nga regjimi i Bashar al-Assadit. Menjëherë pas ndërtimit të murit mbrojtës, familja u detyrua të largohej nga Siria për shkak të konfliktit. Pas kthimit në shtëpi, muri u shemb dhe koleksioni i librave bashkë me dokumentet personale dolën sërish në dritë në gjendje shumë të mirë. Pavarësisht viteve të gjata të braktisjes dhe shkatërrimeve të luftës, çdo gjë kishte mbetur e paprekur. Pamjet e momentit janë bërë virale në rrjetet sociale, duke u kthyer në një simbol të ruajtjes së kujtesës.

Paqe e përkohshme në seancë plenare

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme