Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin sot aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa vendimi do të bëhet i ditur veçmas për secilin prej katër të akuzuarve. Ata përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar vazhdimisht.
Procesi gjyqësor ka zgjatur më shumë se katër vjet. Gjatë tij, Prokuroria ka paraqitur dëshmitë e mbi 100 personave, ndërsa mbrojtja ka sjellë dëshmitarë dhe argumente për të kundërshtuar akuzat dhe pretendimet mbi përgjegjësinë e të pandehurve.
Prokuroria ka kërkuar dënime me burgim për katër ish-krerët e UÇK-së, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë kërkuar rrëzimin e akuzave dhe shpalljen e tyre të pafajshëm.
Në Kosovë, pritja e aktgjykimit është shoqëruar me aktivitete publike në mbështetje të të akuzuarve, përfshirë “Marshin për Liri” në Prishtinë. Mbështetës janë mbledhur edhe në Hagë, ndërsa autoritetet holandeze kanë shtuar masat e sigurisë pranë selisë së Dhomave të Specializuara.
Vendimi i sotëm nuk e përfundon domosdoshmërisht procesin gjyqësor, pasi si Prokuroria, ashtu edhe mbrojtja, kanë të drejtë ta apelojnë atë.






















