
Përplasja më e re mes dy pushteteve po trondit themelet e shtetit të së drejtës. Në qendër të debatit është një parim elementar, që studentëve të juridikut u shpjegohet që në vitin e parë, kur studiojnë të drejtën kushtetuese.
Sipas çdo doktrine juridike, aty ku Gjykata Kushtetuese është pjesë e organizimit institucional, ajo vepron si legjislator negativ. Pra, ka fuqinë të shfuqizojë ligje ose dispozita ligjore që bien ndesh me Kushtetutën, por nuk krijon me vendim një normë të re juridike në vend të tyre.
Legjislatori pozitiv është Parlamenti, Kuvendi, i cili ka kompetencën parësore për të krijuar, ndryshuar ose plotësuar normat e së drejtës. Ndërsa legjislatori negativ, Gjykata Kushtetuese, ndërhyn vetëm për të pastruar rendin juridik nga normat antikushtetuese, duke vepruar si filtër ose shfuqizues, por pa u shndërruar në prodhues ligjesh të reja.
Gjykatat kushtetuese nuk mund të zëvendësojnë vullnetin e Parlamentit. Nëse një ligj shfuqizohet, detyra për të rregulluar sërish marrëdhëniet shoqërore përmes një ligji të ri i takon përsëri legjislatorit pozitiv, pra Kuvendit.
Kur Gjykata Kushtetuese kapërcen kufijtë e saj si legjislator negativ dhe merr role të legjislatorit pozitiv, krijohet një fenomen që në doktrinën e Fakultetit Juridik njihet si aktivizëm gjyqësor i tepruar ose ndërhyrje në kompetencat ligjvënëse. Në teorinë e së drejtës kushtetuese, ky kapërcim sjell pasoja serioze juridike dhe politike.
Ndryshimet që iu bënë Kushtetutës, duke e mbarsur atë edhe me anekse dhe shtojca e duke e trajtuar si një ligj të zakonshëm, minimalisht dëshmojnë për asgjësimin e mendimit konstitucionalist në fazën e hartimit të reformës.
Një reformë gjigante, e konsultuar mes penalistësh, administrativistësh dhe juristësh të OJF-ve me ndershmëri intelektuale të pamjaftueshme ose të mangët, si dhe me mungesë ekspertize nga konstitucionalistë të mirëfilltë, është arsyeja e madhe e dramës që sot po përjetohet si debat publik.
Aktualisht po përjetojmë një krizë kushtetuese, të shfaqur si pasojë e një konflikti ndërinstitucional, ku pretendohet se Gjykata Kushtetuese ka kaluar në terrenin e politikëbërjes dhe ka hyrë në konflikt të drejtpërdrejtë me Parlamentin dhe Qeverinë.
Profesorët dhe tekstet akademike, si ato të autorëve Luan Omari, Arsim Bajrami apo doktrina evropiane, e shpjegojnë këtë fenomen për studentët, por jo për ish-hetuesin Fatmir Xhafaj.
Ish-prokurori i përkëdhelur mes mandateve si deputet, pa asnjë kulturë profesionale mbi konstitucionalizmin, zgjodhi i vetëm shpurën e atyre që shkruanin pa kuptuar gropat që po hapnin dhe që sot janë në sytë e të gjithëve.
Vetëpërmbajtja gjyqësore, si karakteristikë e të përzgjedhurve në organin më të lartë me funksione garantuese mbi Kushtetutën, pra judicial restraint, nuk është fare në fjalorin mendor, profesional dhe intelektual të Fatmir Xhafajt. Aq më pak në formatin intelektual të ekspertëve që u kujdesën vetëm për sigurimin e karriges në pushtetin monstruoz që po ndërtonin pa e kuptuar.
Çdo kufi mes pushteteve, në kushtet e krijimit të një sistemi të ri, duhej të sigurohej me dispozita të posaçme, si në Kushtetutë, ashtu edhe në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese.
Por për t’i formuluar ato dispozita duhej njohur doktrina. Nuk mjafton të dish shkrim e këndim.
Të gjitha pretendimet e sotme të Ramës duhej të ishin parashikuar si kufij në momentin kur reforma po shkruhej.
Kuvendi u vetëzhvesh nga pushteti ditën që nuk siguroi instrumentet për të përballuar krizat kushtetuese të pritshme, të shkaktuara nga gropat që u hapën herë nga shkulja e dispozitave kushtetuese, e herë nga mbjellja kuturu e dispozitave mbi kriteret përzgjedhëse dhe përjashtuese.
Kuturisja e sotme, për të cilën flet Rama duke iu referuar Këshillave, është pasojë e kuturisjes gjigante të Ramës dhe shpurës së Fatmir Xhafajt atë mot, kur Kushtetuta u shkrua praktikisht nga fillimi.
Është pasojë e një Kushtetute të shkruar sipas orekseve, në mungesë dijeje dhe pa konsiderimin e lëndës që hap programin e çdo studenti të juridikut.ni Kuvendi duhet të përdorë instrumente të jashtëzakonshme për të disiplinuar demonët që krijoi vetë.
Dhe rruga duket se do të jetë e gjatë.






















