
Në Prishtinë ka nisur këtë të premte një protestë e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta nisi në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se tubimi do të zhvillohet në mënyrë paqësore.
Thirrja për protestë u bë një ditë më parë nga Gazmend Syla i OVL-UÇK-së, pas një takimi të Këshillit Drejtues të organizatës. Syla theksoi se pjesëmarrësit do të protestojnë paqësisht dhe pa maska.
OVL-UÇK ka kundërshtuar aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e konsideruar vendimin të padrejtë.






















