Pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se do të mbledhë Këshillin Drejtues dhe strukturat e saj për të diskutuar situatën e krijuar dhe hapat që do të ndërmerren.
Sipas njoftimit të OVL-UÇK-së, mbledhja do të zhvillohet nesër, më 17 shtator, në selinë qendrore të organizatës dhe do të nisë në orën 12:00. Në fokus do të jenë zhvillimet pas vendimit të shpallur sot në Hagë.
Pas përfundimit të mbledhjes, në orën 13:30, OVL-UÇK ka paralajmëruar një konferencë për media, ku pritet të bëhet publik qëndrimi zyrtar i organizatës dhe të njoftohen veprimet e mëtejshme lidhur me zhvillimet e fundit.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nesër në ora 12:00, do të mbledhë në selinë qendrore Këshillin Drejtues dhe strukturat e saj, për të shqyrtuar situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës Speciale”, thuhet në njoftimin e organizatës.
Ndërsa për konferencën për media, OVL-UÇK ka bërë të ditur se ajo do të mbahet menjëherë pas mbledhjes së strukturave drejtuese. “Pas përfundimit të mbledhjes, në ora 13:30, OVL-UÇK do të mbajë konferencë për media, ku do të bëhet i ditur qëndrimi i Organizatës dhe veprimet tona të mëtejshme lidhur me zhvillimet e fundit”, thuhet më tej.
Vendimi i shpallur sot në Hagë dënoi katër ish-krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vite burgim. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim. Gjykata i shpalli fajtorë për disa akuza që lidhen me krime lufte, ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit nuk u provuan në standardin e kërkuar nga trupi gjykues. Vendimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ankimi.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, reagoi menjëherë pas aktgjykimit, duke e cilësuar vendimin si të papranueshëm. Në muajt para vendimit, organizata kishte deklaruar se do të diskutonte hapat që do të ndërmerreshin në varësi të verdiktit të Hagës.
Tashmë vëmendja zhvendoset te mbledhja e së enjtes dhe konferenca e paralajmëruar për orën 13:30, ku pritet të bëhet e qartë nëse OVL-UÇK do të ndërmarrë protesta, aktivitete publike apo hapa të tjerë në përgjigje të aktgjykimit.






















