
Me lot dhe zhgënjim është pritur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qytetarë të shumtë, të cilët ishin mbledhur në shesh për të ndjekur drejtpërdrejt seancën përmes një ekrani të madh, reaguan me zhgënjim në momentin kur u bënë të ditura masat e dënimit.

Pamjet nga sheshi tregojnë disa qytetarë duke kapur kokën me duar, ndërsa të tjerë qëndrojnë të heshtur dhe dukshëm të mërzitur teksa ndjekin shpalljen e aktgjykimit.

Reagimi erdhi pasi kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, shpalli vendimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në procesin që lidhej me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.























