
Gresa Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit, ka reaguar ashpër pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat dënuan ish-zëdhënësin e UÇK-së me 25 vite burg. Në një reagim drejtuar qytetarëve të Kosovës, Krasniqi e cilësoi vendimin si një padrejtësi të rëndë dhe akuzoi gjykatën se është “politike, raciste dhe kriminale”.
Ajo bën gjithashtu një krahasim mes dënimit të babait të saj, i cili gjatë luftës ishte zëdhënës i UÇK-së, dhe ish-zëdhënësit të regjimit të Slobodan Millosheviçit, Ivica Daçiç, duke e paraqitur këtë si argument për pretendimin e saj se gjykata ka karakter politik dhe paragjykues.
Pavarësisht vendimit, Gresa Krasniqi deklaroi se familja nuk do të tërhiqet dhe se ajo vazhdon të besojë në pafajësinë e Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Reagimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sot, në qytetin e drejtësisë, ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli. Në një gjykatë që ne e konsiderojmë të padrejtë, politike, raciste dhe kriminale, u dha një vendim po aq i padrejtë, politik, racist dhe kriminal. Ky vendim, perfundimisht, ndryshon historinë e Republikës së Kosovës, i vendosë një njollë të zezë UÇK-së dhe barazon viktimën me agresorin.
Katër burra që i kthyen armët kundër armikut, jo për të pushtuar e as për pushtet, por për të mbrojtur pragun e shtëpisë që digjej e shkatërrohej; për të mbrojtur familjarët që dhunoheshin, përdhunoheshin, torturoheshin e vriteshin; që zhdukeshin e dëboheshin nga trojet e tyre.
UÇK-ja luftoi kundër kasapit të Ballkanit, kundër një prej ushtrive më të përgjakshme të rajonit, kundër një makinerie ushtarake që kreu gjenocid në Kosovë. E megjithatë, sot u dënuan çlirimtarët.
Në këtë gjykatë te padrejt, sot u dënua zëdhënësi i UÇK-së, ndërsa homologu i tij i atëhershëm, Ivica Daçiq, vazhdon të jetë i lirë dhe të jetojë krejt mirë në Beograd. Ky eshte vec nje tjeter tregues i qarte per natyren paragjykuese dhe politike te po kesaj gjykate.
Natyrisht, ky vendim na ka lënduar dhe na ka zhgënjyer, Por kurrë nuk do të na thyejë dhe kurrë nuk do të na dorëzojë.
Unë jetoj dhe do të vdes me bindjen time të plotë në pafajësinë dhe çiltërsinë e babait tim, Hashimit, Kadriut dhe Rexhës.
Krenaria mbetet. E vërteta mbetet.
Ne do ta vazhdojmë luften për liri dhe drejtesi!






















