Rajoni 16 September 2026, 15:20 Nga VNA

Beogradi nuk humb kohë, përdor aktgjykimin për të goditur UÇK-në: Ishte organizatë kriminale

Ndaje në Whatsapp

bfgfgbfbfbg.PNG

Serbia nuk ka humbur kohë për ta përdorur vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së për të rikthyer në skenë pretendimet e saj të vjetra kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiç, deklaroi pas shpalljes së vendimit se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, sipas tij, vërteton pretendimet e Serbisë se UÇK-ja ishte një “organizatë kriminale dhe terroriste”.

Daçiç shkoi edhe më tej, duke pretenduar se vendimi dëshmon përgjegjësinë e drejtuesve të lartë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ai kundërshtoi gjithashtu faktin që katër ish-drejtuesit u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, duke e cilësuar këtë pjesë të vendimit si një “manovër politike”.

Por interpretimi që Beogradi i bën aktgjykimit shkon përtej asaj që deklaroi vetë trupi gjykues.

Gjykata i trajtoi akuzat mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale të katër të pandehurve. Madje, gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtari Charles Smith theksoi shprehimisht se gjykimi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo me qëllimin e saj për sigurimin e pavarësisë së Kosovës.

Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan për krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit, pasi trupi gjykues vlerësoi se Prokuroria nuk arriti të provonte ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik kundër popullatës civile.

Për Beogradin, megjithatë, vendimi duket se ishte një mundësi që nuk mund të lihej pa shfrytëzuar: nga përgjegjësia penale e individëve, Daçiç kaloi menjëherë te damkosja e të gjithë UÇK-së.

Por mes asaj që shkruhet në një aktgjykim dhe asaj që Serbia dëshiron të lexojë në të, ka një ndryshim jo të vogël. Gjykata dha vendim për katër persona; Beogradi nxitoi ta shpallë vendimin për një ushtri të tërë.

Në fund, Serbia mori nga aktgjykimi pikërisht atë pjesë që i duhej për narrativën e saj. Pjesën ku gjykata thotë se procesi nuk gjykonte legjitimitetin e UÇK-së, duket se e la për një lexim të dytë.

Video

SPAK nis hetim për çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe sekuestron dokumenta në Kuvend dhe Ministri të Financave.

Një histori e pazakontë vjen nga qyteti Homs në Siri, ku një burrë është rikthyer pas 15 vitesh te librat e fshehur pas një muri. Në tetor të vitit 2011, familja e tij izoloi bibliotekën me qindra vepra fetare e akademike për t'i mbrojtur nga regjimi i Bashar al-Assadit. Menjëherë pas ndërtimit të murit mbrojtës, familja u detyrua të largohej nga Siria për shkak të konfliktit. Pas kthimit në shtëpi, muri u shemb dhe koleksioni i librave bashkë me dokumentet personale dolën sërish në dritë në gjendje shumë të mirë. Pavarësisht viteve të gjata të braktisjes dhe shkatërrimeve të luftës, çdo gjë kishte mbetur e paprekur. Pamjet e momentit janë bërë virale në rrjetet sociale, duke u kthyer në një simbol të ruajtjes së kujtesës.

Paqe e përkohshme në seancë plenare

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme