Irlanda nuk do të marrë pjesë në Eurovision Song Contest 2027, që do të zhvillohet në Bullgari, ndërsa transmetuesi publik irlandez RTÉ ka njoftuar se nuk do ta transmetojë as konkursin.
Vendimi është bërë publik nga RTÉ, i cili e ka lidhur tërheqjen e Irlandës me situatën në Gaza dhe krizën e vazhdueshme humanitare në territor.
Në deklaratën e tij, transmetuesi publik irlandez tha se pjesëmarrja në Eurovision nuk mund të justifikohet në kushtet e humbjes së vazhdueshme të jetëve dhe situatës së rëndë me të cilën përballen civilët në Gaza.
RTÉ ka ngritur gjithashtu shqetësimin për kufizimet ndaj gazetarëve ndërkombëtarë, duke theksuar mungesën e aksesit të pavarur të mediave të huaja në territor.
Me këtë vendim, Irlanda do të mungojë për të dytin vit radhazi në Eurovision. Vendi nuk mori pjesë as në edicionin e vitit 2026, në të cilin Izraeli ishte pjesë e konkurrimit dhe përfundoi në vendin e dytë, pas Bullgarisë.
Vendimi ka një peshë të veçantë edhe për shkak të historisë së Irlandës në Eurovision. Irlanda është një nga vendet më të suksesshme në historinë e festivalit europian të këngës, me shtatë fitore.
Drejtori i Eurovision Song Contest, Martin Green, reagoi pas njoftimit të RTÉ-së, duke deklaruar se organizatorët e respektojnë vendimin e transmetuesit irlandez, megjithëse shprehin keqardhje që Irlanda nuk do të jetë pjesë e edicionit të vitit 2027.
Ai theksoi se Eurovisioni synon të bashkojë artistë dhe transmetues nga vende të ndryshme përmes muzikës dhe krijimtarisë, veçanërisht në një periudhë kur bota po përballet me konflikte dhe ndarje të shumta.
Organizatorët e Eurovisionit sqaruan gjithashtu se transmetuesit pjesëmarrës vendosin çdo vit në mënyrë individuale nëse do të jenë pjesë e edicionit të ardhshëm të konkursit.
Pavarësisht tërheqjes, organizatorët kanë bërë të ditur se dialogu me RTÉ do të vazhdojë, duke shprehur shpresën që Irlanda, një prej vendeve historikisht më të lidhura me Eurovisionin, të rikthehet në konkurs në të ardhmen.






















