Bota 17 September 2026, 17:34 Nga VNA

SHBA i refuzon vizën Mahmoud Abbasit për Asamblenë e OKB-së, për të dytin vit radhazi

Ndaje në Whatsapp
SHBA i refuzon vizën Mahmoud Abbasit për Asamblenë e OKB-së,

Shtetet e Bashkuara i kanë refuzuar presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, vizën për të udhëtuar në Nju Jork dhe për të marrë pjesë personalisht në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Vendimi shënon vitin e dytë radhazi që Abbas nuk lejohet të udhëtojë në SHBA për aktivitetin vjetor të OKB-së.

Sipas burimeve palestineze të cituara nga BBC, vendimi amerikan është pjesë e zgjatjes së kufizimeve të vizave ndaj zyrtarëve të Autoritetit Palestinez dhe anëtarëve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës. Departamenti amerikan i Shtetit argumenton se këto struktura nuk kanë përmbushur angazhimet që, sipas Uashingtonit, lidhen me procesin e paqes dhe ka akuzuar gjithashtu palën palestineze për ndërmarrjen e hapave që “ndërkombëtarizojnë” konfliktin izraelito-palestinez.

Uashingtoni ka ngritur ndër të tjera akuza lidhur me atë që e konsideron si “glorifikim të terrorizmit”, ndërsa autoritetet palestineze i kanë kundërshtuar këto qëndrime dhe kanë mbrojtur të drejtën e tyre për të kërkuar llogaridhënie ndërkombëtare ndaj Izraelit.

Vitin e kaluar, kufizimet amerikane prekën rreth 80 zyrtarë palestinezë dhe Abbas nuk mundi të udhëtonte në Nju Jork. Ai iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme përmes videolidhjes. Edhe këtë vit pritet që çështja e pjesëmarrjes së tij në distancë të diskutohet në kuadër të punimeve të Asamblesë, ku marrin pjesë 193 shtete anëtare.

Vendimi ka hapur gjithashtu diskutime mbi përplasjen mes rregullave që lidhen me mikpritjen e selisë së OKB-së në Nju Jork dhe të drejtës së SHBA-së për të kontrolluar hyrjen në territorin e saj. Marrëveshja për Selinë e Kombeve të Bashkuara përcakton detyrime për garantimin e aksesit në selinë e organizatës, ndërsa Uashingtoni ka argumentuar ndër vite se ekzistojnë rrethana ku mund të vendosen kufizime vizash për arsye të sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme.

Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur që nga 1 janari 2026 një pezullim të plotë të lëshimit të vizave për personat që udhëtojnë me dokumente të lëshuara ose të miratuara nga Autoriteti Palestinez, me disa përjashtime të kufizuara.

Çështja merr një rëndësi të veçantë edhe për shkak të statusit ndërkombëtar të Palestinës. Shteti i Palestinës njihet nga një pjesë e madhe e vendeve anëtare të OKB-së, ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk e njohin Palestinën si shtet sovran.

Nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, SHBA-ja është ndër shtetet që nuk e kanë njohur shtetin palestinez. Rusia, Kina, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar e kanë njohur Palestinën si shtet, ndonëse pozicionet dhe politikat e tyre ndaj statusit përfundimtar të konfliktit ndryshojnë.

Refuzimi i vizës së Abbasit pritet të rikthejë debatin mbi pjesëmarrjen e udhëheqjes palestineze në forumin më të madh diplomatik ndërkombëtar dhe mbi marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara mes Uashingtonit dhe Autoritetit Palestinez.

Video

Një histori e pazakontë vjen nga qyteti Homs në Siri, ku një burrë është rikthyer pas 15 vitesh te librat e fshehur pas një muri. Në tetor të vitit 2011, familja e tij izoloi bibliotekën me qindra vepra fetare e akademike për t'i mbrojtur nga regjimi i Bashar al-Assadit. Menjëherë pas ndërtimit të murit mbrojtës, familja u detyrua të largohej nga Siria për shkak të konfliktit. Pas kthimit në shtëpi, muri u shemb dhe koleksioni i librave bashkë me dokumentet personale dolën sërish në dritë në gjendje shumë të mirë. Pavarësisht viteve të gjata të braktisjes dhe shkatërrimeve të luftës, çdo gjë kishte mbetur e paprekur. Pamjet e momentit janë bërë virale në rrjetet sociale, duke u kthyer në një simbol të ruajtjes së kujtesës.

Paqe e përkohshme në seancë plenare

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme