Rajoni 16 September 2026, 22:27 Nga VNA

Vuçiçit nuk i del inati pas vendimit në Hagë/ “Studion” reagimet e rajonit, ndalet te Rama e Begaj dhe paralajmëron Malin e Zi

Ndaje në Whatsapp
Vuçiçit nuk i del inati pas vendimit në Hagë/

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në një konferencë për mediat, ai u ndal veçanërisht te reagimet e drejtuesve politikë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, duke pretenduar se ato dëshmojnë standarde të ndryshme në mënyrën se si trajtohen krimet e luftës në rajon.

Sipas Vuçiçit, Serbia nuk ka arsye as për të festuar dhe as për t’u trishtuar pas vendimit, ndërsa argumentoi se një pjesë e akuzave më të rënda nuk çuan në shpalljen e tyre fajtorë.

Presidenti serb e përqendroi një pjesë të konsiderueshme të deklaratës së tij te reagimet që erdhën nga udhëheqës dhe zyrtarë të lartë politikë të vendeve të rajonit.

Vuçiç tha se kishte pritur reagimet e tyre përpara se të dilte publikisht, duke argumentuar se ato tregonin, sipas tij, standarde të dyfishta në mënyrën se si trajtohen serbët dhe popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë.

Një nga reagimet e para që Vuçiç komentoi ishte ai i Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj. Pas vendimit të Hagës, Begaj shprehu “trishtim të thellë” dhe përshëndeti vendosmërinë për apelimin e tij.

“Për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në! Liria ka emër”, deklaroi Presidenti shqiptar.

Duke iu referuar pikërisht kësaj deklarate, Vuçiç bëri një krahasim me ish-zyrtarët serbë të dënuar nga Tribunali i Hagës.

“Imagjinoni sikur një nga zyrtarët tanë të thoshte: ‘Liria ka një emër’ dhe të përmendte ndonjë serb të dënuar nga Tribunali i Hagës”, deklaroi Vuçiç.

Vuçiç u ndal gjithashtu te qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Rama publikoi në rrjetet sociale një imazh ku shkruhej me shkronja të mëdha fjala “MARRE”, ndërsa reagimi i tij u raportua gjerësisht si një dënim i vendimit të Hagës.

Kryeministri shqiptar e përshkroi vendimin me fjalën “turp”. Reagimet e drejtuesve të Shqipërisë ishin pjesë e argumentit të Vuçiçit se në rajon ekziston një qasje e ndryshme ndaj vendimeve për krimet e luftës, në varësi të përkatësisë kombëtare të personave të dënuar.

Presidenti serb komentoi gjithashtu reagimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kurti e cilësoi dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së si një “padrejtësi të papranueshme” dhe një ndëshkim të rëndë e të dëmshëm.

Një tjetër deklaratë që tërhoqi vëmendjen e Vuçiçit ishte ajo e zëvendëskryeministrit shqiptar të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj.

Gjeloshaj e cilësoi vendimin e Hagës si “jashtëzakonisht të padrejtë”, duke shprehur bindjen se procesi nuk ka përfunduar dhe se vendimi mund të rrëzohet në instancat më të larta. Vuçiç e përdori reagimin e zëvendëskryeministrit malazez për të ngritur pyetjen nëse deklarata të tilla do të ndikojnë në procesin e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

“A do ta ndalojnë integrimin evropian sepse e fyejnë vendimin, e mohojnë sundimin e ligjit? Apo kjo vlen vetëm për serbët?”, pyeti Vuçiç.

Deklarata ishte një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj asaj që presidenti serb e konsideron trajtim të pabarabartë të Serbisë krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Vuçiç iu referua gjithashtu reagimeve të politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, mes tyre Bekim Sali, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes. Duke komentuar mbështetjen e shprehur për ish-drejtuesit e UÇK-së, Vuçiç përdori një ton ironik.

“Dhe unë mendova se ata janë kriminelë, të paktën të dënuar në shkallën e parë. Jo, të gjithë janë çlirimtarë, heronj dhe heroina”, deklaroi presidenti serb.

Vuçiç iu referua gjithashtu qëndrimit të diplomacisë kroate ndaj vendimit.

Sipas tij, Zagrebi deklaroi se e “merr në dijeni” vendimin, por në të njëjtën kohë vuri theksin te konteksti politik dhe historik i luftës në Kosovë.

Presidenti serb i paraqiti të gjitha këto reagime si dëshmi të asaj që ai e konsideron standard të dyfishtë ndaj Serbisë dhe serbëve kur bëhet fjalë për përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi.

“Serbët duhet të jenë kriminelë në çdo njoftim, në çdo deklaratë”, tha Vuçiç.

Video

SPAK nis hetim për çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe sekuestron dokumenta në Kuvend dhe Ministri të Financave.

Një histori e pazakontë vjen nga qyteti Homs në Siri, ku një burrë është rikthyer pas 15 vitesh te librat e fshehur pas një muri. Në tetor të vitit 2011, familja e tij izoloi bibliotekën me qindra vepra fetare e akademike për t'i mbrojtur nga regjimi i Bashar al-Assadit. Menjëherë pas ndërtimit të murit mbrojtës, familja u detyrua të largohej nga Siria për shkak të konfliktit. Pas kthimit në shtëpi, muri u shemb dhe koleksioni i librave bashkë me dokumentet personale dolën sërish në dritë në gjendje shumë të mirë. Pavarësisht viteve të gjata të braktisjes dhe shkatërrimeve të luftës, çdo gjë kishte mbetur e paprekur. Pamjet e momentit janë bërë virale në rrjetet sociale, duke u kthyer në një simbol të ruajtjes së kujtesës.

Paqe e përkohshme në seancë plenare

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme