Një ditë pas vendimit të shkallës së parë në Hagë, me të cilin katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me gjithsej 81 vite burg, ka ardhur reagimi i parë i Hashim Thaçit.
Përmes një deklarate të publikuar nga avokati i tij në rrjetin social X, Thaçi ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar.
Në të njëjtën deklaratë, Thaçi u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mbeten paqësorë në reagimin e tyre ndaj vendimit të dhënë një ditë më parë.
Ndërkohë, Mbrojtja e Hashim Thaçit ka njoftuar se do ta apelojë aktgjykimin e shkallës së parë pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se gjatë procesit ka pasur gabime të rëndësishme ligjore, faktike dhe procedurale.
“Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe nga komuniteti ndërkombëtar, dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të mbeten paqësorë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme.
Avokatët e z. Thaçi do ta apelojnë Aktgjykimin e djeshëm të Shkallës së Parë pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), duke pretenduar se ka pasur gabime të rëndësishme në ligj dhe në fakte, të cilat kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor.
Gjatë gjithë gjykimit, Mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të parashtruara drejtpërdrejt nga anëtarët e Panelit të Gjykimit, në një mënyrë që nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë. Mbrojtja qëndron në qëndrimin se ndërhyrjet gjyqësore kanë tejkaluar kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo mungesë paanshmërie tashmë përshkon edhe Aktgjykimin e Panelit të Gjykimit.
Mbrojtja argumenton se gjetjet e Panelit të Gjykimit për fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara. Për më tepër, dje Paneli i Gjykimit deklaroi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi më parë kishte urdhëruar të gjitha palët në këtë çështje që të mos diskutonin publikisht rastin e z. Allaqit në seancat gjyqësore dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me këtë rast të mbaheshin konfidenciale.
Kësisoj, Paneli i Gjykimit e ka shpallur publikisht fajtor z. Thaçi për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat është mbështetur ky përfundim janë mbajtur të fshehura nga shqyrtimi publik. Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave.
Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Panelit të Gjykimit për shkelje të të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, të garantuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës. Z. Thaçi mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje.
Respektimi i standardeve rigoroze të drejtësisë procedurale është thelbësor për ruajtjen e besimit të publikut në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë penale. Mbrojtja do ta dorëzojë zyrtarisht Njoftimin e Apelit për të korrigjuar këto gabime faktike, ligjore dhe procedurale pranë Panelit të Apelit”, thuhet në deklaratën e publikuar nga avokati i Thaçit.
Sipas qëndrimit të bërë publik, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës kundërshton si përfundimet faktike dhe ligjore të Panelit të Gjykimit, ashtu edhe mënyrën se si është zhvilluar procesi. Një nga pikat e ngritura lidhet me pretendimin për mungesë paanshmërie gjatë gjykimit dhe me ndërhyrjet e anëtarëve të Panelit përmes pyetjeve të drejtpërdrejta.
Një tjetër çështje e kundërshtuar nga Mbrojtja lidhet me provat mbi të cilat janë mbështetur gjetjet për fajësinë. Sipas deklaratës, këto prova konsiderohen të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara.
Mbrojtja ndalet në mënyrë të veçantë edhe te rasti i Behajdin Allaqit, duke kundërshtuar faktin që Paneli deklaroi publikisht përfshirjen e Thaçit në vrasjen e tij, ndërkohë që, sipas avokatëve, provat që lidhen me këtë çështje janë mbajtur konfidenciale dhe nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit publik.
Hashim Thaçi, përmes mbrojtjes së tij, mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje dhe kërkon që provat mbi të cilat është mbështetur ky përfundim të mund t’i nënshtrohen shqyrtimit publik.
Pas aktgjykimit të shkallës së parë, beteja ligjore pritet të zhvendoset tashmë në Panelin e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku Mbrojtja ka paralajmëruar se do të kërkojë korrigjimin e atyre që i cilëson si gabime faktike, ligjore dhe procedurale, si dhe shkelje të të drejtës së Thaçit për një gjykim të drejtë.






















