TIRANË - Me 84 vota pro të mazhorancës, Kuvendi miratoi formulën e re për pagat e magjistratëve, duke i dhënë një zgjidhje ligjore ngërçit të krijuar në sistemin e drejtësisë, por jo përplasjes politike dhe institucionale që e shoqëroi atë.
Projektligji i socialistëve parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë, ndërsa kërkesa e magjistratëve, e mbështetur edhe nga KLGJ dhe KLP, ishte afro nëntë herë më e lartë, rreth 80 mijë lekë.
Në momentin e votimit, kryeministri Edi Rama ngriti kartonin jeshil në sallë, ndërsa Sali Berisha mungoi. Opozita votoi kundër, duke e cilësuar formulën e mazhorancës si “puç kushtetues” dhe duke argumentuar se ajo nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Por debati i djeshëm nuk ishte thjesht për pagat. Në qendër të tij u vendos raporti mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, pasi Rama i dha një përgjigje të drejtpërdrejtë Kushtetueses, duke i kujtuar se ajo mund të rrëzojë një ligj kur bie ndesh me Kushtetutën, por nuk mund t’i diktojë Kuvendit formulën që duhet të votojë.
“Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund ta ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi. Penalltinë do ta gjuaj unë’”, tha Rama.
Kryeministri e lidhi gjithë përplasjen me reformën në drejtësi dhe me mënyrën se si, sipas tij, u ndërtua në atë kohë piramida e pagave. Ai tha se pagat e magjistratëve u rritën në mënyrë “stratosferike”, duke prishur raportin me pagat e tjera në administratë dhe duke krijuar një mekanizëm që, sipas tij, nuk mund të mbetet i përhershëm.
“Këtu është nevoja për të bërë një ligj të ri, për t’i dhënë fund kësaj historie, e cila e ka zanafillën e vet në atë moment kur, në bërjen e reformës, nuk u përcaktua koha se kur piramida do të balancohej”, tha Rama.
Ai e quajti “lajthitje” kërkesën që pagat e magjistratëve të rriten automatikisht sa herë rriten pagat e punonjësve të tjerë dhe shtoi se një skemë e tillë do të krijonte një deformim të papranueshëm në sistemin e pagave.
Rama bëri të ditur se qeveria ka nisur punën për një ligj të ri për ribalancimin e piramidës së pagave dhe se për këtë janë hapur kontakte me Këshillin e Europës dhe Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë.
“Ne nuk mund të shkojmë në një konflikt pushtetesh dhe ne jemi tërësisht të angazhuar që të bëjmë një ligj të ri. Ka një sërë mënyrash për ta bërë, por kjo historia që sa herë rritet një pagë në Republikë, duhet rritur një pagë atje, duhet të marrë fund. Kjo është absurde”, tha Rama.
Në shënjestër të kryeministrit u vunë edhe shoqatat e gjyqtarëve dhe vetë trupa gjyqësore. Ai foli për lëvizje të koordinuara mes tyre, të cilat i cilësoi shqetësuese dhe të dëmshme për Republikën.
“Të shohësh një ndërveprim shoqatash me trupën gjyqësore të Shqipërisë, të shohësh lëvizje të koordinuara, të shohësh këtë organizim është jashtëzakonisht shqetësuese. Të gjitha zhvillimet në këtë drejtim janë zhvillime që e dëmtojnë Republikën e Shqipërisë, nuk janë zhvillime që e ndihmojnë”, tha Rama.
Për opozitën, megjithatë, formula e miratuar nga socialistët nuk e zgjidh problemin, por e thellon atë. PD e cilësoi projektligjin si një sfidë të hapur ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe paralajmëroi se mazhoranca po hyn në një përplasje të re me drejtësinë.
Kështu, Kuvendi e miratoi formulën e pagave, por beteja nuk u mbyll. Përkundrazi, votimi i djeshëm e zhvendosi konfliktin nga paga e magjistratëve te pyetja më e madhe: deri ku shkon e drejta e Gjykatës Kushtetuese për të korrigjuar Kuvendin dhe ku fillon kufiri politik që Rama dje ia vizatoi me kartonin jeshil në dorë.






















