Fatmir Xhafaj, një nga njerëzit që qëndroi në themel të institucioneve të reja të drejtësisë, gjeti sot nga salla e Kuvendit mundësinë për të sulmuar vetë sistemin që dikur e mbrojti politikisht si garancinë më të madhe të pavarësisë nga pushteti.
Në debatin për pagat e magjistratëve, Xhafaj u shfaq i zhgënjyer jo aq nga problemet e krijuara nga qeveria dhe Kuvendi me moszbatimin në kohë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sesa nga fakti që KLP, KLGJ dhe gjykatat kundërshtuan formulën e propozuar nga mazhoranca për mosrritjen reale të pagave.
Nga foltorja e Kuvendit, Xhafaj tha se 10 vjet pas miratimit të reformës në drejtësi nuk ka asnjë mëdyshje për zgjedhjen e bërë në vitin 2016. Sipas tij, rritja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët nuk ishte konceptuar si privilegj, por si garanci e pavarësisë së tyre.
Ai kujtoi se formula e vitit 2016 ishte një vendim i guximshëm i mazhorancës dhe i kryeministrit Edi Rama, pavarësisht kundërshtive që, sipas tij, vinin nga njerëzit e financave për shkak të vështirësive të kohës.
“Vendosëm të investonim te drejtësia me idenë se kjo do të kthehej në profesionalizëm, shpejtësi dhe integritet”, ishte thelbi i argumentit të Xhafajt.
Por, menjëherë pas kësaj, deputeti socialist e zhvendosi peshën e përgjegjësisë drejt vetë sistemit të drejtësisë. Ai tha se paga e magjistratëve sot është 3.6 herë më e lartë se para reformës dhe se në vitin 2016 u prish qëllimisht proporcionaliteti i pagave në administratën publike, duke u dhënë përparësi gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas Xhafajt, ky ishte një përjashtim i një momenti të caktuar, por nuk ka arsye që të mbetet përgjithmonë i pandryshueshëm. Me këtë argument, ai mbrojti të drejtën e Kuvendit për të ndërhyrë në hierarkinë e pagave.
Ai pranoi se brenda sistemit të drejtësisë ka disproporcione pagash, duke thënë se në krye të hierarkisë duhet të jetë Gjykata Kushtetuese, më pas Gjykata e Lartë, ndërsa sipas tij piramida e pagave është ende e përmbysur.
Xhafaj ndau përgjegjësinë mes qeverisë, Kuvendit dhe institucioneve të drejtësisë. Për qeverinë, ai tha se ka dhënë një mbështetje të konsiderueshme buxhetore, të pakrahasueshme me periudhën para reformës, por nuk ka arritur të ndërtojë një mekanizëm page në harmoni me sistemin e pagave në vend dhe me zhvillimin ekonomik.
Për Kuvendin, Xhafaj tha se ka përgjegjësi për amendamentet e bëra dhe mënyrën si është proceduar në këtë fushë. Ai përmendi edhe moszbatimin në kohë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i kishte kërkuar Kuvendit që të vepronte deri më 31 korrik.
Sipas tij, Këshilli për Legjislacionin i kërkoi mendim Këshillit të Ministrave, por çështja nuk mund të lihej pa zgjidhje. “Institucioni nuk mund të përdorë kompetencën e tjetrit për të mos zbatuar vendimin e Kushtetueses”, ishte mesazhi i tij.
Megjithatë, pjesa më e fortë e fjalës së Xhafajt ishte kritika ndaj vetë institucioneve të drejtësisë. Ai tha se sistemi ka të drejtë të mbrojë statusin dhe pagën, por mënyra se si ushtrohet kjo e drejtë ka rëndësi.
“Sistemi ka shkuar shumë larg”, tha Xhafaj, duke përmendur KLGJ, KLP, kallëzimin penal, thirrjet për grevë dhe bojkot, të cilat sipas tij kanë ndikuar në perceptimin dhe besueshmërinë e qytetarëve ndaj drejtësisë.
Në fund, Xhafaj u përpoq ta mbante qëndrimin në një vijë të ndërmjetme, duke thënë se magjistratët kanë të drejtë për pagë të drejtë dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen. Por mesazhi politik mbeti i qartë: arkitekti i reformës në drejtësi sot u shfaq i pakënaqur me drejtësinë e re, pikërisht në momentin kur ajo kundërshtoi qeverinë për pagat.
“Pavarësia nuk është privilegj”, tha Xhafaj. Por debati i sotëm tregoi se për mazhorancën, pavarësia e drejtësisë mbetet më e lehtë për t’u duartrokitur kur nuk kthehet në kundërshtim institucional ndaj qeverisë.






















