
Katër shoqata që përfaqësojnë gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese kundër ndryshimeve ligjore që lidhen me statusin dhe pagat e magjistratëve.
Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare pretendojnë se ligji i miratuar në Kuvend gjatë orëve të natës cenon të drejtat kushtetuese të magjistratëve. Ato do të kërkojnë pezullimin e zbatimit të tij dhe shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Në qëndrimin e përbashkët, shoqatat ngrenë pretendime për shkelje të procedurave gjatë miratimit të ndryshimeve, duke përmendur mungesën e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, konsultimin sipas tyre joefektiv me grupet e interesit dhe hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit.
Përfaqësuesit e magjistratëve theksojnë se kundërshtimi i tyre nuk lidhet vetëm me çështjen e pagave, por, sipas tyre, me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
“Me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në qëndrimin e përbashkët.
Katër shoqatat shprehen se do të përdorin mjetet ligjore në dispozicion për të kundërshtuar ndryshimet, ndërsa do t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që çështja të shqyrtohet me përparësi.
Reagimi i plotë:
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Forumi i Grave Gjyqtare të Shqipërisë shprehin vendosmërinë e tyre për të vijuar ndjekjen e procesit kushtetues lidhur me pagat e magjistratëve.
Me keqardhje kemi ndjekur procedurën parlamentare për miratimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”. Që në fillim, kjo procedurë është karakterizuar, në vlerësimin tonë, nga shkelje të kërkesave kushtetuese, duke nisur nga miratimi i projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesa e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, mungesa e konsultimit efektiv dhe dëgjimi tërësisht formal i grupeve të interesit dhe, në fund, hyrja e menjëhershme në fuqi e ligjit.
Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat janë cenuar haptazi nga ligji i miratuar në orët e mesnatës. Në këtë kuadër, informojmë opinionin publik se, me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi.
Kjo kërkesë bëhet e domosdoshme pasi, përmes këtij ligji, cenohet jo vetëm statusi financiar i magjistratëve, i cili është i lidhur ngushtësisht me garantimin e pavarësisë së tyre, por edhe vetë themelet e shtetit të së drejtës, për shkak të mosrespektimit të hapur të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Shoqatat tona shprehin bindjen e plotë në integritetin e procesit kushtetues dhe besimin se Gjykata Kushtetuese do të rivendosë standardet kushtetuese të cenuara. Kemi besimin e plotë se do të jetë pikërisht procesi kushtetues ai që do të sqarojë çështjet e ngritura dhe do të hedhë poshtë përpjekjet për të diskredituar magjistratët dhe kërkesat e tyre legjitime.
Theksojmë edhe një herë se kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare, siç është tentuar, në mënyrë të shtrembëruar, t’i paraqitet opinionit publik gjatë gjithë këtij procesi. Ajo lidhet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e themeleve të shtetit të së drejtës.
Për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe vlerave kushtetuese, shoqatat tona mbeten të palëkundura dhe do të përdorin çdo mjet ligjor që Kushtetuta dhe ligji u vënë në dispozicion.






















