Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Nisma u bë publike nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili deklaroi se synimi nuk është mbyllja e Gjykatës Speciale apo pengimi i hetimeve, por përcaktimi më i qartë i mandatit dhe kompetencave të saj. Sipas tij, për rastet që nuk përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, projektligji parashikon transferimin e tyre në Kosovë, së bashku me dosjet, provat dhe materialet përkatëse.
Nisma vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, vendim që PDK e ka kundërshtuar publikisht.
PDK argumenton se ndryshimet e propozuara synojnë që funksionimi i Dhomave të Specializuara të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare për një proces të drejtë gjyqësor.
Partia i ka kërkuar Kuvendit që të shqyrtojë dispozitat që rregullojnë funksionimin e Dhomave të Specializuara, ndërsa ka paralajmëruar se do të vijojë me hapa institucionalë dhe ligjorë lidhur me këtë çështje.






















