
Eurodeputeti i Demokracisë së Re, Fredi Beleri, është vendosur në qendër të debatit politik në Greqi pas një deklarate të bërë për Ilias Kasidiaris, ish-deputetin e Agimit të Artë, i cili më 15 shtator doli nga burgu pasi kishte vuajtur një pjesë të dënimit të tij prej 13 vitesh.
Polemikat lidhen me një deklaratë të Belerit më 10 shtator në televizionin ONE, disa ditë përpara lirimit të Kasidiaris. Duke folur për ish-deputetin, Beleri deklaroi se ai ishte “një nga të paktët grekë që e bëri burgun deri në ditën e fundit”.
Deklarata solli reagimin e PASOK-ut, partisë më të madhe opozitare në Greqi, e cila i kërkoi qeverisë dhe Demokracisë së Re të distancoheshin qartësisht nga qëndrimi i eurodeputetit.
Pas polemikave, Beleri reagoi publikisht duke pranuar se formulimi i përdorur prej tij kishte qenë i gabuar. Ai e cilësoi shprehjen “të pavend” dhe theksoi se nuk ka asnjë lidhje me Kasidiarisin apo me atë që ish-deputeti përfaqëson politikisht.
Në të njëjtën kohë, Beleri akuzoi PASOK-un se kishte shkëputur një pjesë të deklaratës së tij nga konteksti. Eurodeputeti deklaroi se qëndrimi i tij ndaj demokracisë, institucioneve dhe shtetit të së drejtës është i qartë dhe nuk lë hapësirë për interpretime të tjera.
Ai solli në vëmendje gjithashtu qëndrimin e Demokracisë së Re ndaj Agimit të Artë, duke argumentuar se ishte pikërisht partia e tij që e përballoi organizatën në rrugë institucionale dhe e çoi çështjen përpara drejtësisë.
Ilias Kasidiaris ka qenë një prej figurave kryesore të Agimit të Artë dhe është dënuar për drejtimin e një organizate kriminale. Gjatë qëndrimit në burg ai vijoi të ishte aktiv politikisht dhe në rrjetet sociale, ndërsa pas lirimit ka sinjalizuar synimin për t’u rikthyer në politikën greke.






















