Gjykata e Posaçme ka nisur aplikimin e gjobave ndaj avokatëve që po vijojnë bojkotin e seancave gjyqësore, të vendosur nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Masat janë marrë gjatë procesit ndaj Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë për vrasjet e vitit 2005 të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut. Në seancën ku SPAK pritej të lexonte pretencën, avokatët mbrojtës nuk u ulën në vendet e përcaktuara për ta, por qëndruan në pjesën e sallës së rezervuar për publikun.
Veprimi erdhi në zbatim të vendimit për bojkot pa afat, përmes të cilit avokatët kundërshtojnë rregulloren e re të GJKKO-së. Ata pretendojnë se rregullorja është antikushtetuese dhe krijon pengesa në ushtrimin e profesionit.
Trupa gjykuese, e drejtuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, vendosi të gjobisë me nga 50 mijë lekë më shumë se 10 avokatë. Mes tyre janë si mbrojtës të zgjedhur nga të pandehurit, ashtu edhe avokatë të caktuar kryesisht.
Vendosja e gjobave vjen ndërsa bojkoti i avokatëve vijon dhe palët mbajnë qëndrime të kundërta për zbatimin e rregullores së re të Gjykatës së Posaçme.






















