73-vjeçari Xhevdet Skëndaj, i cili mbeti i plagosur në atentatin e Sarandës mëngjesin e kësaj të diele, është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore.
Pasi mori ndihmën e parë në Spitalin e Sarandës, mjekët kanë vlerësuar se duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të specializuar. Për këtë arsye, u vendos që të nisej drejt Spitalit të Traumës. I moshuari ka plagë në pjesën e poshtme të gjymtyrëve.
Ngjarja ndodhi këtë mëngjes, kur dy persona me motor dhe skafandra në kokë iu afruan lokalit ku ishte ulur 44-vjeçari Artan Myrtaj. Në momentin që ky i fundit i pa, tentoi të largohej me vrap. Ata qëlluan në drejtim të tij, duke e lënë të vrarë në vend, ndërsa Skëndaj, i cili ishte kalimtar i rastit, mbeti i plagosur.
Pas vrasjes, në vendin e ngjarjes mbërriti edhe nëna e Myrtajt, e cila dëgjohet në disa video teksa vajton të birin.






















